Bundesliga

G4, “të fortët” e Europës që njohin vetëm fitore!

Jemi vetëm në fillim të edicionit futbollistik dhe ku kampionatet “big” sapo kanë nisur rrugëtimin, por megjithatë kjo nuk na pengon që të nxjerrim edhe disa shënime të para mbi ecurinë e skuadrave. Në kuadër të kësaj analize, nga Franca, në Angli, Itali dhe vazhduar në Gjermani, katër skuadra kryesojnë renditjen dhe ende nuk kanë provuar shijen e një barazimi apo humbje.

Po flasim për Paris SG, Liverpool, Juventus dhe Bayern Munich, me pikë të plota, edhe pse numri i ndeshjeve të zhvilluara ndryshon. Në fakt, në krye të kësaj mini tabele qëndron skuadra franceze dhe ajo angleze, që kanë 18 pikë të plota pas 6 ndeshjesh dhe 6 fitoresh.

Kampionët e Francës përmbysën Rennes në fundjavën e shkuar, duke vendosur edhe rekord historik me 3 suksese radhazi në transfertë. Janë 20 gola në total të shënuar dhe 5 të pësuar për parizienët. Pas tyre vjen Liverpool i Jurgen Klopp, që gjithashtu ka 18 pikë në 6 ndeshje, me 6 fitore ku kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar vetëm 2 të tillë. Kryesuesit e Premier League duket se këtë sezon do të ndjekin realisht atë trofe që i mungon prej 28 vjetësh.

Fill pas tyre pozicionohet Juventusi i Massimiliano Allegrit, që në pesë ndeshje ka marrë po aq fitore dhe kryeson renditjen e Serisë A me 15 pikë të plota. Nën shenjën e Cristiano Ronaldos, skuadra bardhezi ka arritur që të dalë me pikë edhe nga një fushë që iu kthye tmerr, ajo e Frosinones. Portugezi është në kuotën e 3 golave. Skuadra bardhezi, që fiton prej 7 vitesh radhazi titullin, ka shënuar 11 gola dhe pësuar 4.

Në fund, Bayern Munich, që megjithatë ende nuk ka arritur 5 ndeshje për të matur forcën. Katër fitore në katër javë dhe 12 pikë të plota për kampionët e Gjermanisë, që kanë realizuar në total 12 gola dhe pësuar vetëm 2, aq sa Liverpool.

U largua nga kjo listë ekipesh perfekte Barcelona, pas barazimit 2-2 me Gironan në shtëpi. Një hap fals që nuk e mban të pastër tabelën e barazimeve në La Liga.

G4, ose grupi “i të fortëve” po bën ligjin në Europë. Tani, të shohim se çfarë do të ndodhë në ndeshjet në vijim, por kandidatura e tyre për të arritur suksesin këtë sezon duket e qartë.

Më shumë nga Bundesliga