Futboll

“Gabigol është poshtëruar në tri mënyra tek Interi”

Durimi e ka një fund. Agjenti i sulmuesit të Interit, Gabriel Barbosa (“Gabigol”), ka hequr dorë nga diplomacia dhe ka folur hapur për keqtrajtimin që po vuan klienti i tij në Milano. Braziliani u ble me shumë bujë në merkaton e verës, por deri tani nuk ka luajtur asnjë ndeshje si titullar. “Gabrielin e kanë poshtëruar”, – është shprehur Wanger Ribeiro nga Brazili, duke shtuar se 20-vjeçari nuk është penduar kurrë për zgjedhjen e bërë. “Erdhi në një klub elitar. Mendonin se morën Neymar-in, por ai është ndryshe.”

“Në Itali lojtarët i duan të pjekur, por ‘Gabigol’ është i ri dhe ka nevojë për kohë. Tek Interi e kanë poshtëruar në tri mënyra: fizikisht, moralisht dhe psikologjikisht. Ç’të them? Ai është kampion olimpik, ka qenë titullar absolut te Santos dhe aktualisht luan me kombëtaren. Ai nuk është se kërkonte të ishte gjithmonë titullar, por nuk ia dhanë kurrë një shans. Ka luajtur vetëm 5-minutësha, gjithsej 140 minuta. Ai shpresonte të kishte më shumë shanse, por kjo nuk ka ndodhur”, – ka shtuar Ribeiro gjithë nerva.

 

Më shumë nga Futboll