RUSI 2018

Gafa e Caballero dhe Kroacia shkatërrojnë Botërorin e Argjentinës…

Kroacia është kualifikuar për në 1/8-t e finaleve të Kupës së Botës 2018, pasi ka mposhtur 3-0 Argjentinën dhe tani “çelestët” rrezikojnë eliminimin e bujshëm.

Lionel Messi mund ta mbyllë Botërorin në Rusi pas vetëm tre ndeshjesh dhe fajtori kryesor për këtë është portieri Wilfredo Caballero, i cili bëri një gafë që do të mbahet mend gjatë.

Pas pjesës së parë, relativisht të ekuilibruar dhe të mbyllur në barazim 0-0, në minutën e tetë të pjesës së dytë erdhi gafa e 36-vjeçarit, portieri i dytë i Chelsea.

Caballero tentoi të pasonte te Mercado, por pasimi i tij ishte skandaloz dhe topi përfundoi te këmbët e Ante Rebic, i cili e ndëshkoi me një goditje saktë që përfundoi në rrjetë.

Jorge Sampaoli tentoi të ndreqte situatën me aktivizimet e Higuain dhe Dybala, por Argjentina nuk pati forcën e duhur dhe tani nuk e ka më fatin në duart e saj.

Dhjetë minuta para fundit, Luka Modric mbylli llogaritë me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zone. Goli i dytë në këtë Botëror për mesfushorin e Real Madrid i jep Kroacisë biletën për në raundin e ardhshëm.

Ndërkohë, në kohën shtesë Argjentina kaloi nga shiu në breshër kur Ivan Rakitic realizoi golin e tretë për kroatët, me portën e boshatisur. Vetëm lot për Leo Messi, pasi tani duhet t’i lutet Zotit që mos eliminohet që në fazën me grupe të “Rusi 2018”.

VIDEO / Golat e ndeshjes…

Më shumë nga RUSI 2018