Seria A

Gattuso i gëzohet fitores në minutën e fundit dhe përgatitet për “shëtitjen” londineze

Gennaro Gattuso donte të dinte se si do të reagonte skuadra pas humbjes së pësuar kundër Arsenal dhe ka qenë shumë i kënaqur me golin e realizuar në fundin e ndeshjes kundër Genoa-s.

“Ishim të shqetësuar dhe unë doja të dija si do të reagonim pas humbjes sonë të parë në dy muaj e gjysmë. Kam marrë një përgjigje pozitive”, ka thënë trajneri i kuqezinjve në përfundim të ndeshjes.

“Nëse shikojmë renditjen mund të themi se kemi ngushtuar shumë diferencat. Janë edhe 11 ndeshje për t’u luajtur dhe shtatë prej tyre i kemi në shtëpi. Do të shohim. Është e rëndësishmë që disa lojtarë të rikuperojnë formën”.

“Më vjen mirë që Andre Silva ka shënuar golin e tij të parë në kampionat. Është shumë e vështirë të luash për një skuadër të madhe si Milan, akoma më shumë kur je i ri, por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi”.

Kuqezinjtë kanë fituar katër ndeshje radhazi në kampionat pa pësuar gol, por e vetmja humbje në 14 takimet e fundit ka qenë ajo e pësuar kundër Arsenal në Europa League të enjten e kaluar.

“Kam dëgjuar shumë fjalë në lidhje me gjendjen tonë fizike, por thjesht kemi luajtur keq. E kishim përgatitur ndryshe, por kemi gabuar gjithçka në pjesën e parë dhe i kemi lënë atyre shumë hapësira. Nuk mund t’i bëjmë dhurata askujt”.

“Nuk do të shkojmë në Londër për një shëtitje, ne përfaqësojmë një klub të lavdishëm dhe duam të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”, ka thënë Gattuso.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Seria A