Kampionati Shqiptar

Gavazaj në ikje: Skënderbeu do të synojë sërish titullin kampion

Skënderbeu vijon përgatitjet. Pas dy vitesh huazim tek ekipi i Trepça 89’ në Kosovë, drejtuesit kuqebardhë kanë kthyer sulmuesin nigerian, Otto John. 20-vjeçari u bashkua të hënën me juglindorët në stërvitje.

Ndërkohë, në pritje të largimit nga Skënderbeut, dje ka dalë në konferencë për shtyp Enis Gavazaj, i cili ka sqaruar situatën e tij dhe të kampionëve të vendit në fuqi. Mes të tjerash, lojtari i kombëtares kuqezi, ka nënvizuar:

“Nuk i dihet a do të jetë kjo konferenca e fundit me Skënderbeun, apo jo. Por, siç e keni dëgjuar, ka interesime nga ekipe jashtë vendit për mua. Për momentin jam lojtar i Skënderbeut. Përderisa jam këtu, do të mundohem vetëm për Skënderbeun, nuk di a është kjo konferenca e fundit apo jo.

Ka klube nga Belgjika, Kroacia dhe Rusia që më duan, por ku të jetë më e mira, aty do të shkoj. Për mua ka rëndësi që, ku të iki, edhe të luaj, të kem vazhdimësi, siç e kisha këtu në Korçë. Nuk është me rëndësi kampionati ku do të ik, por aty ku do të luaj.

Skënderbeu në vazhdim? Vetë emri i këtij ekipi është i madh për futbollin shqiptar. Edhe sezonin e ri do të ketë lojtarë shumë të mirë, që do ta përfaqësojnë si duhet qytetin e Korçës dhe do të luftojnë përsëri për të fituar kampionatin.

Kam kaluar dy vite të mrekullueshme në qytetin e Korçës, nuk do të largohesha pa përshëndetur, do të vija përsëri në klub e pastaj do të largohesha. Nuk di deri ku kanë shkuar largimet, se sa lojtarë janë larguar deri tani nga Skënderbeu.

Por, besoj se edhe me trajnerin, që deri pak kohë më parë e kisha bashkëlojtar, do të arrijmë të bëjmë ekip shumë të fortë dhe, siç e thashë me herët, do të jemi kompetitivë në kampionat. Gjithmonë ka zëvendësime. Iku Latifi, iku Berisha, iku Salihi, vijnë lojtarë të tjerë”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar