Çiklizëm

Gaviria bën poker në Xhiro, Zhupa renditet i 47-ti

Çiklisti kolumbian Fernando Gaviria fiton për të katërtën herë një etapë të edicionit të 100-të të Xhiros së Italisë, duke triumfuar sot në etapën e 13-të, Reggio Emilia-Tortona, 169km e gjatë (dha kohën 3h47’45” në finish). Kjo ishte një etapë tërësisht fushore dhe e përshtatshme për sprinterët dhe Gaviria nuk zhgënjeu, duke u konfirmuar një specialist i shpejtësisë. Ai la pas irlandezin Sam Bennett (i dyti), ndërsa në të tretin u rendit belgu Jasper Stuyven. Duke qenë se etapa ishte fushore, pati disa shkëputje të çiklistëve, por në fund të gjithë mbërritën në grup.

Ciklisti Eugert Zhupa gjate Xhiros 2017

Mes më të mirëve mbërriti në finsih edhe Eugert Zhupa, që u rendit në vendin e 47-të, duke dhënë të njëjtën kohë me fituesin, duke konfirmuar se është në gjendje të mirë fizike. Për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm të Xhiros së Italisë, në krye të renditjes vazhdon të qëndrojë holandezi Tom Dumoulin, që arrin të mbrojë fanellën rozë të liderit. Ai ka 2’23” avantazh nga kolumbiani Nairo Quintana dhe 2’38” nga holandezi tjetër Bauke Mollema. Ndërsa çiklisti shqiptar Eugert Zhupa, pas 13 etapash ndodhet në vendin e 143-të, me 1h45’50” pas kryesuesit të turneut.

Më shumë nga Çiklizëm