Connect with us

Kampionati Shqiptar

Gaz Demi: Partizani-Skënderbeu pa tifozë, se kështu do FSHF-ja

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” të TVSH-së, ku ka folur për shumë aspekte të klubit që drejton.

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” të TVSH-së, ku ka folur për shumë aspekte të klubit që drejton. Ai është ndalur edhe në duelin e hapur me FSHF-në, ndërsa ka nënvizuar se nuk do të paguajë gjysmën e dënimit për tifozët. Çka do të thotë se ndeshja Partizani-Skënderbu do të luhet me shkallët e stadiumit bosh: “Nuk jam i kënaqur me vendin e dytë, pasi kemi qenë edhe vjet në këtë pozicion. Shpresojmë që vendin e parë ta arrijmë shpejt. Skënderbeu-Kukësi? Pak më intereson kjo ndeshje. Mendoj se Kukësi do ta ketë të vështirë. Në Korçë, verilindorët do të pësojnë humbjen e parë. Loja e skuadrës? Nga viti në vit, ka filluar të më pëlqejë më shumë. Nuk është ajo skuadër që unë nuk kam dëshirë të jetë. Stafi po punon mirë. Besoj se nga java në javë do të bëjmë edhe më mirë. Rikthimi i Mazrekajt? Eshtë një blerje shumë e mirë. Ka mentalitet. Akoma nuk ka ardhur në 100 % e tij. Shpresojmë që të afrohet sa më shumë edhe me grupin dhe të arrijë në maksimumin e tij. 

Ndeshja ndaj Flamurtarit? Nuk kisha frikë se na barazonin, por Flamurtari na vuri në vështirësi dhe, pas dëmtimit të Torasës, trajneri futi një mbrojtës, por ai e di më mirë atë punë. Futbollistët tanë neglizhuan disi, pasi shkuam 2-0. Fati ishte me ne. Kompleksi? Ky është titull për mua. Punimet po ecin mirë, jemi në mes të tyre, pasi po ndërtohet një kompleks shumë i madh. Po punohet pothuajse 14 orë në ditë. Sezonin e ri shpresojmë që ta nisim në shtëpinë tonë. Fondi i federates? Më është dukur shumë banale kjo shifër prej 150 mijë eurosh në kompleks dhe nuk jemi interesuar fare. E dua bashkëpunimin, por jo me cinizëm. Në 4 vjet, ne si Partizan nuk kemi marrë asgjë nga FSHF-ja. Për investimin që bëjmë ne nuk shkon kjo shumë, pasi është e vogël. Nëse do ta dërgonim në UEFA, do të na jepnin fonde, ndërsa FSHF-ja na jep fonde të vogla. Dënimi i fundit? Me qetësi e pritëm, kishim shpresë që ky palaçollëk të shikohej nga Apeli. U dënua Serbia në ndeshjen me Shqipërinë për dy ndeshje. Nuk them a kishin, apo nuk kishin faj tifozët.

Të dënohej grupimi, pasi nuk janë vetëm ata. Nuk është vetëm grupimi, pasi nuk mund të shmangësh të gjithë, që të mos vijnë të shohin ndeshjen. E justifikoj sjelljen e tifo-grupit në këtë ndeshje. Duhen të shihen me qetësi gjërat. Ne paguajmë shumë lekë për gjoba. Dënimet janë tendencioze. Komisioni i Disiplinës është i komanduar. A do ta shlyej me shumë financiare dënimin e tifozëve për ndeshjen me Skënderbeun? Tifozët e dinë se unë respektoj gjithçka, brenda rregullave. Këtë ndeshje pa tifozë kam qejf që t’ia lë ta shikojë federata dhe televizionet. Opinioni im është që ta lë pa tifozë këtë takim. Unë për vete do të jem në Hong Kong dhe do ta shikoj në televizion. E kam parë edhe njëherë tjetër atje dhe kam fituar. Federata, po të dojë, ta paguajë vetë gjobën, nëse do të shikojë futboll. Këtë vendim e bëj si karshillëk ndaj komisioneve të federates, që na kanë dënuar. U kërkoj ndjesë tifozëve të mi, por do t’u jap mundësi ta shikojnë takimin jashtë, në një ambient hapur, duke vendosur ekrane të mëdha. Por këtë dënimin me katër ndeshje dua t’ia lë kënaqësinë federatës që ta shijojë.

Shembull konkret marr atë çfarë ndodhi në Serbi-Shqipëri dhe në ndeshjen tonë në Kukës. Atje dënimi ishte dy ndeshje pa tifozë, që më pas u zbut në një, ndërsa ne u dënuam me katër ndeshje. Vota ime është që të mos e paguaj gjobën. Nuk i dal kundër federatës, ia plotësoj dëshirën. Nuk kam asnjë kontakt me njerëz të federatës, por mendoj se ka qenë tendencioz. Jam duke e studiuar FSHF-në tani si funksionon. U dënuan miqtë me 4 ndeshje dhe nuk dënohen vendasit. Si të mos them se është tendencioze?! Nuk them të dënohet Kukësi, por nuk ka logjikë që të dënohemi ne, që ishim si miq atje. Nuk kam asgjë personale me presidentin Duka. Madje, e kam më shumë mik se shumë të tjerë, por flas në parim, pasi sot është ai, nesër mund të jem unë.”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar