Kampionati Shqiptar

Gega nuk e nis me fjalën “titull”, na prezanton me Partizanin e sezonit të ri

Skënder Gega ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së parë të kampionatit të 80-të kombëtar të futbollit. Të tijtë do të udhëtojnë drejt Korçës, për t’u ballafaquar me kampionët e vendit në fuqi, që në start, një moment për të treguar “tjetër fytyrë” dhe “kërcënuar” vërtet titullin.

E nisni sezonin ndaj Skënderbeut, si po e përjetoni këtë përballje të parë?

Është e vërtetë që është ndeshja e parë kundër ekipit ndoshta më të fortë në pesëvjeçarin e fundit na krijon trysni më të mëdha se sa është zakonisht. Ky është testi i parë i vërtetë. Jemi të përgatitur për këtë test, sepse u bë kaq kohë në fazë përgatitore, ndeshjet e UEFA-s, disa ndeshje miqësore, një turne në Durrës. Kështu që vijmë në momentin më të mirë për t’u ballafaquar me sukses në këtë sfidë.

Si e shihni Skënderbeun, në krahasim me vitet e tjera?
Mendoj që Skënderbeu e ka bazën e ekipit, pavarësisht nga lëvizjet që ka bërë, edhe prurjet e reja. Besoj që ka kualitetin dhe lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Korçarët duhen respektuar për vetë historinë e tyre, edhe për momentin, pavarësisht nëse ka mungesa, apo ka bërë lëvizje të mëdha. Por, duhet të mësojmë të respektojmë veten tonë, të dimë se për çfarë shkojmë dhe për çfarë jemi përgatitur. Besoj se jemi gati.

Si e sheh gjendjen e ekipit pas pjesëmarrjes në turneun e Durrësit?
Kjo ishte që në fillim ideja, që ta testonim ekipin në dy ndeshje nga 45 minuta, edhe pse me dy skuadra të ndryshme. Në ndeshjen me Teutën besoj se e arritëm objektivin, jo vetëm se morëm Kupën, por për mënyrën se si luajtëm, se kishim punuar për të. Edhe nesër do të bëjmë maksimumin që ekipi të shfaqë atë për të cilën është përgatitur.

Cili është më i fortë mes Partizanit dhe Skënderbeut?
Nuk mund ta them, sepse secili ka planet dhe parametrat e veta. Besoj se, pa dalë nga modestia, jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë grup lojtarësh që kemi, se jemi përgatitur për çdo gjë sipas ideve, e kemi të gjithë të qartë si trajner e lojtarë, urojmë që të premten të shkojnë gjërat mirë.

Si e parashikoni ndeshjen në Korçë?
Unë nuk para parashikoj, nuk para jap parashikime për rezultatin, futbolli i ka të tria rezultatet. Ne do të mundohemi të marrim maksimumin, dihet që pretendimet tona janë shumë të larta, për vetë historinë dhe klubin. Unë kam dëshirë ta filloj me një sukses, edhe vetë çunat po ashtu.

A ka gjë që ju shqetëson përpara kësaj sfide?
Asgjë, shqetësimi është derisa të fillojë loja. Në ditët e para kisha shqetësime ndoshta me lojtarët, mentalitetin, frymën që deshëm të sillnim. Në ditët e para ishin presione të brendshme normale në futboll. Por tani jam i kënaqur, janë sheshuar gjërat dhe pjesa më e madhe e ekipit është gati. Uroj që këtë punë, që e kanë bërë në stërvitje, ta shfaqin nesër.

Cili është plani i lojës së Partizanit për takimin ndaj Skënderbeut?
Nuk mund të them sot se si do të dalim në fushë të premten, është pjesë e planit të ndeshjes, se si do të luajmë në fillim, gjatë apo në pjesën e dytë. Do të shoh në seancën e fundit, do të mundohem të dalim me një ndeshje të fortë e të kompletuar.

Së fundmi skuadrës i është bashkuar një lojtar korean…
Është afruar sot, kishte ditë që po punohej për të. Ai është një lojtar i ekipit kombëtar nga Koreja e Veriut, është risi në Shqipëri nga ky vend. Ka një CV mjaft të mirë. Nga informacionet që kemi, vitin e kaluar ka bërë sezon të mirë në Bosnjë, ka qenë ndër më të mirët. Sigurisht, nuk mund të jap sot për sot asnjë lloj përfundimi, se është bashkuar sot me grupin. Deri më 31 gusht do të mundohemi të jemi të kujdesshëm dhe të japim një vlerësim përfundimtar.

Sa ndryshe është Partizani i këtij sezoni me atë të kaluar? A është titulli, objektivi i klubit?
Mendoj se jemi në rrugën e drejtë, në krahasim me sezonin e kaluar. Vjet është bërë shumë merkato, emrat të mëdhenj, kanë qenë njerëz që i janë afruar klubit me CV dhe hapësirë më të madhe. Besoj se zhurma është më e vogël, puna po bëhet mirë, jam i kënaqur me këtë grup. Nuk është se kemi presion nga drejtuesit për të dalë kampionë. Unë e shoh kampionatin si një sfidë të gjatë dhe objektivat vijnë duke u konsoliduar. Mosmarrja e titullit prej shumë vitesh nuk është presion, është dëshirë, të cilën e bashkoj me punë. Nëse nuk punojmë që të marrim maksimumin, mbetet vetëm dëshirë. Ne e kemi potencialin dhe dëshira nuk mungon, lojtarët janë të bindur dhe të ndërgjegjshëm pse kanë ardhur dhe çfarë qëllimesh kemi.

Si po shkojnë bisedimet në lidhje me afrimin e Valon Ahmedit?
Në këtë aspekt unë jam munduar të jem pjesë e fushës. E njoh personalisht, sepse e kam pasur lojtar kur drejtoja Shpresat. Ai është një djalë me të dhëna të mira. Më vonë mësova se ka dëshirë të vijë, por ka shumë faktorë, shumë arsye që një lojtar të afrohet, është koordinim mes klubit dhe lojtarit. Për të mund të jap mendim nëse vjen, se e njoh dhe do të ishte një plus për ekipin.

A është ekipi gati për sezonin e ri?
Të premten është testi i parë i vërtetë, siç është Skënderbeu në transfertë. Nuk besoj se ka diferencë të mëdha mes asaj që kemi bërë deri më sot. Me këta lojtarë që janë sot, besoj se shkojmë larg, sepse stërviten mirë. Ishim me fat që nuk kishim dëmtime. Po mundohemi t’i ingranojmë edhe Hebaj e Mensah, pjesa tjetër është bashkë prej kohësh.

A prisni emra të tjerë në merkato?
Deri më 31 gusht do të presim, është një listë, një grup lojtarësh, që ia kam propozuar klubit. Shumë prej tyre kanë ndryshuar në momentin e fundit, për arsyet e tyre, ndoshta për pagesa, mënyrë kontrate. Po punohet, por nuk them dot gjë, se bisedimet prishen në momentin e gabuar. Janë disa pika që po t’i ketë ekipi, përforcohet. Nuk është se nuk jemi të kënaqur me këta që kemi, por të kemi një numër më të madh lojtarësh, përballon më mirë një kampionat të gjatë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar