Futboll

Gentian Mezani: “Keqardhje për penalltinë, por mund të ishim ndëshkuar më shumë”

Skuadra e Laçit i është afruar maksimalisht një barazimi në Korçë, përballë Skënderbeut kryesues të klasifikimit, madje duke bërë thuajse gjithçka, por pritja e penalltisë nga ana e kapitenit të bardhekuqve u ka mohuar kurbinasve një pikë shumë të çmueshme. Pavarësisht shansit të shpërdoruar, trajneri i Laçit, Gentian Mezani preferon të theksojë se sot kurbinasit mund të konsiderohen me fat, që nuk pësuan më shumë gola, përballë një Skënderbeu shumë kualitativ.

“Na vjen keq që mbaroi kështu, edhe pse ndeshja mbaroi dhe duhet pranuar rezultati. Me atë penallti që kishim në favor në minutat e fundit mund të kishim marrë një barazim. Nga ana tjetër ishim disi me fat që nuk pësuam më shumë gola, por patëm edhe rastin tonë me atë penallti. Skuadra u soll mirë në të dyja faza. Normalisht kemi lënë hapësira, sepse Skënderbeu ka lojtarë cilësorë. Nuk është se jemi aq keq në mbrojtje. Mendoj me kalimin e ndeshjes do jemi më mirë. Kemi punë dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën. Për ndeshjen e ardhshme ndaj Flamurtarit do të bëjmë të pamundurën sepse është një ndeshje brenda dhe nuk duhet të lemë pikë. Edhe ndaj Skënderbeut në Laç do të kërkojmë pikë. Le të shpresojmë te më e mira. Nuk ka hakmarrje është thjesht një ndeshje radhe”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Laçit, Gentian Mezani.

Më shumë nga Futboll