La Liga

Girona-Barça të luhet në SHBA? Trajneri i Real Madridit del kundër

Julen Lopetegui ishte shumë i qartë kur iu kërkua një mendim për mundësinë e luajtjes së ndeshjes Girona-Barcelona, në kuadrin e La Liga-s, në Miami të SHBA, në kuadrin e një marrëveshjeje. “Unë e kam qartësuar veten për këtë ide dhe nuk jam përkrahës, – nënvizoi trajneri i “Los Blancos”, duke shtuar: – Të gjitha ekipet duhet të luajnë në të njëjtën fushë (dmth, në Spanjë) dhe të garantojnë barazinë e konkurrencës”.

Real Madridi është, së bashku me Barçën, skuadra që tërheq më së shumti interes në SHBA, por klubi i bardhë nuk është pro këtij projekti, që një ndeshje e La Liga-s të luhet jashtë Spanjës, më konkretisht në SHBA. Në fakt, La Liga ka surprizuar këtë fillim sezoni, kur zyrtarizoi marrëveshjen e re, për të zhvilluar të paktën një ndeshje në sezon, në Amerikën e Veriut.

Bosët e kësaj lige kanë firmosur një marrëveshje 15-vjeçare me Relevant, një grup sportiv, mediatik dhe zbavitës, për të transferuar markën spanjolle edhe përtej oqeanit Atlantik. Motivi? Mobilizimi për të kultivuar kulturën e futbollit edhe në SHBA dhe Kanada, duke shfrytëzuar asetet fantastike të La Liga, e konsideruar si liga më e mirë e futbollit botëror.

Një surprizë kjo e hidhur për vetë futbollistët e klubeve të La Liga-s, të cilët kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e të luajturit të një ndeshje kampionati në SHBA. Kontestimi mori formë zyrtare, përmes sindikatës së futbollistëve të La Liga-s, ku morën pjesë kapitenët e të gjitha skuadrave.

Më shumë nga La Liga