Connect with us

Kampionati Shqiptar

Gjergji Muzaka drejt Kukësit

E ardhmja e Gjergji Muzakës mund të jetë sërish në kryeqytet por jo me Tiranën. Vendimi i stafit teknik për ta lënë jashtë listët së futbollistëve që po zhvillojnë përgatitoren e janarit në Turqi, ka bërë që prishja e marrëveshjes të jetë çështje orësh. Ekipi i parë që ka shprehur interes për mesfushorin me tipare sulmuese është Kukësi. Trajneri Ernest Gjoka pak ditë më parë deklaroi për “Telesport”, se dëshira e tij e vetme për merkaton e janarit është një mesfushor krahu.

Muzaka është futbollisti ideal për verilindorët që kërkojnë me çdo kushtë titullin kampion. Eksperienca e tij e madhe në Kategorinë Superiore, por edhe njohja që ky i fundit ka me trajnerin Gjoka mund të bëjë që kjo marrëveshje të konkretizohet në ditët në vijim. Problemi i vetëm për drejtuesit e Kukësit, mund të jenë dëmtimet e shpeshta që e kanë shoqëruar 32-vjeçarin në dy sezonet e fundit.

Në edicionin 2016-2017 Muzaka ka zbritur në fushë në 12 takime me bardheblutë, prej të cilave vetëm 5 si titullar duke grumbulluar 548 minuta. Pas golit të fitores me Korabin, që është edhe i vetmi në këtë sezon stafi teknik e konsideroi si “blerje” zhbllokimin e Muzakës. Gjithsesi situata u përkeqësua kur pritej që ish-mesfushori i Skënderbeut të ishte vendimtar për bardheblutë. Shumë pak minuta në dispozicion në fazën e dytë dhe paga të padhëna bën që divorci të jetë në prag. Duke parë këtë situatë ekipi i Kukësit, është gati të përfitoj për të afruar në gjirin e vetë një lojtar me vlera që mund t’i jap një forcë më shumë në luftën për titull kampion.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar