• Gjermani Felix Brych do të gjykojë finalen e Champions-it

    Publikuar: 12 May 1:03

    Komiteti i Arbitrave të UEFA-s njoftoi sot se Felix Brych do të gjykojë finalen e Ligës së Kampionëve për vitin 2017, e cila do të luhet mes Juventusit dhe Real Madridit në stadiumin kombëtar të Uellsit, në Cardiff, të shtunën e 3 qershorit, me start orën 20:45. Brych, arbitri gjerman, 41 vjeç, me stemën e FIFA-s që nga viti 2007, ka drejtuar sfida të tjera në këtë sezon të Champions-it, duke përfshirë edhe ndeshjen e parë të fazës së “nokaut”-it, mes Portos dhe Juventusit, si dhe një ndeshje të “Europa League”. Në finale e Cardiff-it, Felix Brych do të ndihmohet nga asistentët Mark Borsch dhe Stefan Lupp.

    Zyrtari i katërt do të jetë Milorad Mazhiq, nga Serbia, ndërsa dy asistentë gjyqtarët shtesë janë përcaktuar gjermanët Bastian Dankert dhe Marco Fritz. Po sot, Komiteti i Arbitrave në UEFA njoftoi emrin e sllovenit Damir Skomina për të arbitruar finalen e “Europa League”, për vitin 2017, e cila do të luhet mes Ajax dhe Manchester United, në “Friends Arena” të Stokholmit (Suedi), më 24 maj, ora 20:45. Skomina është arbitër ndërkombëtar që nga viti 2003. Slloveni do të ndihmohet nga bashkatdhetarët e tij, Jure Praprotnik dhe Robert Vukan, në finale e Stokholmit. Zyrtari i katërt do të jetë italiani Gianluca Rocchi, ndërsa dy asistentët shtesë, sllovenët Matej Jug dhe Slavko Vinčić.


    Lexo postimet e tjera