RUSI 2018

Gjermania kalon Meksikën me “poker”, Goretzka në histori

Tetë minuta lojë i kanë mjaftuar Gjermanisë së Joachim Low të sigurojë pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Konfederatave dhe të realizojë dy gola kundër Meksikës, e cila është mundur në fund me rezultatin 4-1. Gjithashtu, tetë minuta i kanë mjaftuar edhe lojtarit 22-vjeçar të Schalke, Leon Goretzka, të bëjë atë që asnjë lojtarët tjetër para tij nuk kishte arritur ta bënte në historinë e kombëtares gjermane. Ai, në fakt, është bërë futbollisti i parë i Gjermanisë që realizon dy gola në tetë minutat e para të një ndeshjeje. Mesfushori ka goditur dy herë në shenjë, në minutën e gjashtë dhe në minutën e tetë, duke hapur dhe mbyllur ndeshjen, pavarësisht se kishin mbetur edhe 82 minuta lojë.

Dominimi i gjermanëve, veçanërisht në pjesën e parë, ka qenë shumë i madh. Megjithatë, meksikanët janë treguar të rrezikshëm në dy raste, në minutat e fundit të pjesës së parë, në të cilat mund të kishin hapur ndeshjen me Hector Herrera dhe Giovani dos Santos, ndërsa Timo Werner ka humbur gjithashtu dy mundësi për të rrumbullakosur rezultatin. Gjë që e ka bërë Jonas Hector në minutë e 59-të, pikërisht pas një asisti të Werner. Në minutën e 75-të gjermanët janë shpëtuar nga traversa, që ka ndalur një goditje të bukur me kokë të Jimenez. Një minutë para fundit ka ardhur goli i ngushëllimit për amerikanjugorët, me Fabian që ka kapur në befasi portierin ter Stegen me një goditje të mrekullueshme nga një distancë e largët. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i lojtarëve të Low, që kanë fiksuar shifrat në 4-1 dhe tani Gjermania do të kërkojë të fitojë trofeun të dielën e ardhshme kur do të përballet me Kilin në St. Petersburg, në orën 20:00.

Më shumë nga RUSI 2018