RUSI 2018

Gjermania nuk vdes kurrë, befason Francën në fund

Miqësorja e luksit, e luajtur mes Gjermanisë dhe Francës në Koln, është mbyllur në barazim 2-2. Kampionët e botës në fuqi nuk humbin prej 21 ndeshjesh dhe, në fakt, skuadra e fundit që i ka mposhtur ata ka qenë pikërisht Franca, në gjysmëfinalet e Euro 2016-të.

Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 33-të nga Alexandre Lacazette. Arkitekti i golit ka qenë Anthony Martial, i cili, pasi ka kaluar Sule me një lëvizje të bukur, ka pasuar te sulmuesi i Arsenal. Reagimi i vendasve ka ardhur në minutën e 53-të me yllin e Leipzig, Timo Werner. 21-vjeçari ka marrë një pasim të bukur nga Mesut Ozil dhe nuk ka gabuar.

Gjermania mund të kishte përmbysur gjithçka në minutën e 70-të me Toni Kroos, por gjuajtja e mesfushorit të Real Madrid është ndalur nga traversa. Një minutë më vonë, miqtë janë kthyer në avantazh në minutën e 71-të. Edhe këtë herë autori i golit ka qenë Alexandre Lacazette. Sulmuesi i Topçinjve është treguar i saktë para portierit Kevin Trapp, pas topit të marrë nga Kylian Mbappe. Lojtarët e Low janë hedhur në sulm për të gjetur golin e barazimit, duke e gjetur këtë në minutën e fundit të ndeshjes me Stindl.

Më shumë nga RUSI 2018