Futboll

Gjici i pakënaqur, ultimatum skuadrës dhe Cungut!

Humbje me Skënderbeun dhe humbje me Partizani, Kukësi e pësoi me të dy rivalët direktë për titullin kampion. Presidenti Safet Gjici është shumë i zhgënjyer nga ekipi për shkak të dy humbjeve të fundit duke bërë që skuadra të rrëshqasë nga tabela e klasifikimit. Ekipi verilindor tashmë e sheh veten në vendin e 4-t, 6 pikë më pak se ekipi i Partizanit. Kalendari në vazhdim nuk është aspak favorizues për nënkampionët e Shqipërisë.

Dy transferta me Kastriotin dhe Laçin dhe një sfidë brenda me Flamurtarin. Numri një i stolit i ka bërë të qartë ekipit të tij dhe stafit teknik se do minimalisht 9 pikë në 3 ndeshjet. Në rast se skuadra nuk arrin 3 fitore radhazi, atëherë do të ketë penalizime për ekipin dhe stafin teknik dhe nga ana financiare. Kukësi po merrte hov, pasi arriti të fitojë 6 ndeshje radhazi mes kupës dhe kampionatit.

Dy disfatat e fundit sjellin sërish stuhinë në kampin e verilindorëve. Gjici ka patur dhe një takim me drejtorin sportiv Nderim Nexhipi dhe zyrtarët e tjerë të klubit ku u ka kërkuar që të nisin piketimin e elementëve pozitivë për merkaton e janarit. Gara është ende e hapur dhe ka shumë pikë dhe ndeshje përpara, por numri një i klubit e ka “alergji” distancimin nga vendi i parë i kampionatit, pasi synon titullin kampion dhe nuk do asnjë justifikim.

 

Më shumë nga Futboll