Connect with us

Futboll

Gjici: Ky është momenti të kurorëzojmë punën e 5 viteve në Superiore

Titulli kampion këtë sezon sipas të gjitha gjasave do të vendoset në “Zeqir Ymeri” në “finalen” e madhe mes Kukësit dhe Skënderbeut. Kryesuesit e kampionatit kanë zhvilluar një sezon të madh duke qëndruar për pjesën më të madhe të kohës në krye dhe tani kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi janë shumë afër realizimit të ëndrrës së madhe për t’u shpallur kampion. Presidenti Safet Gjici në intervistën e dhënë për “Super Sport” është shprehur se skuadra e tij do të jap maksimumin në fushë me objektivin për të ndalur hegjemoninë e Skënderbeut.

GJICI

“Në futboll janë tre rezultate në lojë por ne na duhet fitorja dhe do të ishte qershia mbi tortë ta bënim këtë në Kukës. Besoj që ekipi e ka vleresuar maksimalisht. U bëj thirrje tifozëve të jenë në mbështetje të ekipit. Mos të ketë probleme asnjë tifoz, biletat janë te pika e shitjes. Kuksianët janë gati për të festuar titullin. Edhe Takaj pretendon për të fituar por nuk do të përsëritet më që ata ta fitojnë titullin këtu në Kukës. Janë 5 vjet investime pikërisht për të marrë këtë titull”.

Kukësi i ka dhënë tonusin futbollit tonë gjatë këtyre pesë viteve në Superligë – edhe pse një ekip pa histori presidenti Safet Gjici ndërtoj një skuadër cilësore që tani është gati të hedh hapin e madh: “Është ndeshja e 5 viteve bashkë sepse luftojmë për titullin dhe besoj se do të vijë dita që do të korrim suksesin. Është një ndeshje e fortë me një ekip që ka treguar prej 6 vitesh që është kampion. Nuk duhet të kemi presion, por skuadra duhet ta vlerësojë shumë këtë ndeshje. Ka ardhur dita që pas 5 vitesh të mbledhim frytet e punës tonë”.

Gjici nuk pranon të bëjë parashikime duke theksuar se e rëndësishme është vetëm fitorja: “Nuk mund të përcaktoj asnjë lojtar që do të vendosë ndeshjen, por skuadra është e impenjuar maksimalisht. E rëndësishme është që të fitojmë ndeshjen, por se kush do ta shënojë golin kjo pak rëndësi ka”.

Më shumë nga Futboll