Peshëngritje

Gjoba 50 mijë dollarë, shtanga shqiptare ende e pezulluar

Që kombëtarja e Shqipërisë në peshëngritje të marrë pjesë në Botërorin e shtangës, që zhvillohet në Hjuston të Amerikës, më datat 20-28 nëntor, duhet paguar para fillimit të këtij aktiviteti të paktën gjysma e shumës prej 50 mijë dollarë, shuma e gjobës vendosur nga IWF-ja

Peshëngritja shqiptare vijon ende të jetë e pezulluar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF), e cila e ka dënuar me 50 mijë dollarë gjobë FSHP-në, pas skandaleve të dopingut në fund të vitit të kaluar. Që kombëtarja e Shqipërisë në peshëngritje të marrë pjesë në Botërorin e shtangës, që zhvillohet në Hjuston të Amerikës, më datat 20-28 nëntor, duhet paguar para fillimit të këtij aktiviteti të paktën gjysma e shumës.

shabani me pulakun e godellin

Trajneri Luan Shabani me shtangistët shqiptarë që shkuan në Botërorin e Almaty

Kjo është konfirmuar sot nga sekretari i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, në një koment të publikuar në “Facebook”. “FSHP-ja duhet të paguajë gjysmën e kësaj shume para Kampionatit Botëror “USA 2015” dhe gjysmën tjetër para 31 dhjetorit 2015. Kjo është konfirmuar nga e-mail i ardhur nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, sot”, ka qenë komenti i Haxhihysenit.

haxhihyseni dhe elez gjoza

Presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza dhe sekretari Agron Haxhihyseni

Sekretari i shtangës shqiptare konfirmon gjithashtu se e gjithë gjoba duhet shlyrë brenda këtij viti, por e rëndësishme është që brenda 20 nëntorit të jetë paguar shuma prej 25 mijë dollarësh. Ai ka besim se falë mbështetjes së shumë sponsorëve dhe dashamirësve që ka sporti i peshëngritjes, gjoba të likujdohet brenda afateve. “Peshëngritja shqiptare lind gjithnjë talente dhe ka shumë sponsorë, të cilët kanë shprehur gadishmërinë e shlyerjes së kësaj gjobe”, ka deklaruar më tej Agron Haxhihyseni.

IMG_6166

Ministrja e MAS, Lindita Nikolla me dy peshëngritësit Daniel Godelli e Romela Begaj, pozitiv në Botëror

Federata Shqiptare e Peshëngritjes u gjobit me 50 mijë dollarë nga Federata Ndërkombëtare, pas 3 rasteve të dopingut me stanozolol të 3 shtangistëve kuqezinj në Botërorin e Almaty (Kazakistan). Daniel Godelli, Hysen Pulaku e Romela Begaj dolën pozitivë, duke “humbur” luftën edhe me panelin e dëgjimit të IWF-së, pasi të dyja testet konfirmuan përdorimin e substancave të ndaluara. Në Botërorin e Hjustonit këta 3 sportistë nuk do të marrin pjesë, pasi janë të dënuar dhe shpresat e vetme për të shkuar te medalja si në Botëror ashtu edhe në Olimpiadën e “Rio 2016” janë tek Erkand Qerimaj. Por fillimisht duhet paguar gjoba, ose të paktën gjysma e saj…

erkand qerimaj

Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj

[total-poll id=65290]

Më shumë nga Peshëngritje