Futboll

Gjoka dëshmon në polici, FSHF dënon agresionin

Futbolli shqiptar, që shpesh herë, më shumë se për vlerat sportive, bën bujë për ngjarjet e dhunshme, përgjithësisht në përplasjet mes skuadrave, ndaj arbitrave, sulmeve mes tifozerive, apo dhe për trukim të ndeshjeve, sot ka qenë kryefjala e ditës, pas ngjarjes së ndodhur pasdite në Shkodër. Atje ku trajneri i Vllaznisë u sulmua nga një person i armatosur me thikë, por që fatmirësisht ka shpëtuar i padëmtuar. Në kuadër të procedurave dhe zbatimit të protokollit, vetë trajneri Gjoka është shoqëruar për në ambientet e policisë, ku ka dhënë dëshminë e tij për mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet.

“Nuk e di kush e ka bërë sulmin ndaj meje. Nuk kam me askënd probleme. Nuk e kam idenë. Nuk njoh aq shume ne Shkodër. Unë merrem veç me stërvitjet dhe ndeshjet. Agresori erdhi nga mbrapa kur isha tek makina në fund të stërvitjes. Pranë meje ishte Gilman Lika qe me ndihmoi bashke me qytetare që qëlluan në vendin e ngjarjes. Nuk e prisja te ndodhte. Më sulmuan pasi kishte mbaruar stërvitja. Nuk e kuptoj pse ka ndodhur sepse s’kam probleme me askënd“, raportohet të ketë qenë dëshmia e Gjokës.

Ndërkohë, në lidhje me këtë incident të rëndë, veç klubit kuqeblu, ka reaguar me një komunikatë zyrtare edhe Federata Shqiptare e Futbollit. “FSHF dënon me forcë veprimin më të fundit ndodhur sot me trajnerin e klubit të futbollit Vllaznia, Ernest Gjoka ku një person ka tentuar të godasë me thikë trajnerin pas përfundimit të stërvitjes. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka sapo është informuar për këtë ngjarje ka telefonuar menjëherë trajnerin Ernest Gjoka për tu interesuar në lidhje me gjithcka ka ndodhur. Kreu i FSHF i ka garantuar teknikut angazhimin e tij maksimal  në zbardhjen e plotë të këtij akti. Z.Duka ka marrë kontakt më pas edhe me autoritetet policore për cështjen në fjalë. Të tilla ngjarje janë tërësisht një anë shumë e shëmtuar, që nuk i përkasin aspak futbollit, lojës tonë, dhe dënohen maksimalisht nga opinioni sportiv dhe jo vetëm. Nje ngjarje e tillë duhet të rrisë akoma më shumë ndërgjegjësimin qytetar për të luftuar të tilla fenomene. Trajnerët tanë profesionistë duhet të punojnë të qetë dhe jashtë trysnisë psikologjike, apo akoma më tej të gjendur të kërcënuar nga situata të tilla me rrezikshmëri të lartë. FSHF inkurajon trajnerin e Vllaznisë Gjoka dhe të gjithë klasën e trajnerëve që te vazhdojnë të ushtrojnë pasionin dhe misionin e tyre, trajnimin në futboll. Asnjë motiv, rrethanë apo arësye nuk legjitimon kurrsesi humbjen e kontrollit total dhe ndërmarrjen e veprimeve agresive karshi njerëzve që punojnë cdo ditë dhe angazhohen shpirtërisht me futbollin dhe garën. Le të shërbejë kjo ngjarje, fatmirësisht e mbyllur pa ndonjë komplikacion shëndetësor për trajnerin Gjoka, për ti paraprirë një disipline dhe rregulli akoma më të lartë nga klubet, në vendet kryesisht ku skuadrat kryejnë stërvitjet ditore. Por mbi të gjitha ti bëj apel ndërgjegjes qytetare për ti thënë STOP episodeve të tilla agresive”, citon deklarata e FSHF-së.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll