Kampionati Shqiptar

Gjoka: Nëse varemi nga gjykimi, atëherë do të jetë e frikshme…

Çështja e shumëpërfolur e arbitrave për ndeshjen Teuta-Vllaznia tashmë ka marrë fund. Këtë sfidë shumë të rëndësishme për objektivat minimalist të dy skuadrave, mbijetesën në Superiore, do ta drejtojë një gjyqtar shqiptar. Me shumë mundësi do të jetë Enea Jorgji, duke parë se ka stemën e FIFA-s dhe nuk është i angazhuar në ndeshjet e ditës së sotme, pot ë javës së 29-të të Superiores.

Kujtojmë se Teuta-Vllaznia është veçuar nga të tjerat si ndeshje, për t’u luajtur të dielën, në orën 19:00, në “Niko Dovana”, për vetë rëndësinë që ka. Trajneri i kuqebluve, Ernest Gjoka, ka dalë në conference për shtyp ditën e sotme, teksa ka folur edhe në lidhje me këtë çështje.

Ai ka thënë: “Ka qenë një periudhë e vështirë për gjykimin në kampionatin shqiptar. Shumë skuadra janë ankuar duke krijuar njëfarë mosbesimi ndaj arbitrave tanë. Por, unë mendoj dhe dëshiroj që në këtë sfidë të jetë një nga arbitrat më të mirë të kampionatit shqiptar, të jetë një ndeshje e rregullt, sa i takon arbitrimit dhe të fitojë më i miri”.

Por, a ka frikë Gjoka nga gjykimi, sepse kohët e fundit po flitet shumë për një favorizim të Teutës nga arbitrat? Përgjigja e trajnerit të Vllaznisë është kjo: “Nuk është çështje frike. Ne duhet të shkojmë në fushë për të marrë çfarë do të prodhojmë në fushë. Në qoftë se ndodh kështu, atëherë duhet të themi faleminderit. Por, nëse do të varemi nga gjykimi, atëherë do të jetë e frikshme, por do të jetë edhe një moment i keq për futbollin shqiptar”.

Referuar aspektit sportive të kësaj sfide, Gjoka nënvizoi: “Është një ndeshje e rëndësishme, por sigurisht nuk është vendimtare. Është një ndeshje e rëndësishme për momentin ku ndodhemi, për momentin që po kalojmë. Na duhet ta mbajmë larg kundërshtarin që kemi mbrapa. Kjo i jep njëfarë rëndësie dhe ka një angazhim shumë të madh për ndeshjen e nesërme.

Nuk është vendimtare, për vetë faktin se luhen shtatë ndeshje deri në fund dhe ka sfida të mbetura plot. Psikologjikisht duhet ta shikojmë jo si një ndeshje, që mbaron këtu kampionati. Është ndeshje e rëndësishme, që e kemi përgatitur me seriozitet dhe qetësi. Do të mundohemi të mos të dalim me humbje nga Durrësi.

E rëndësishme është që të mos humbim, pasi ruajmë distancën me kundërshtarin, edhe pse është e vogël. Le t’i ngjitim shkallët një nga një, kjo është e rëndësishme. Situata e Malotës? E provuam, por ka 22 ditë pa stërvitje prej problemeve që kishte. Në testet që bëmë pamë se nuk mund të ishte në fushë, por do të jetë në stol”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar