Kampionati Shqiptar

Gjoka për shortin: FC Sherif niset favorit ndaj nesh

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka reaguar pas mësimit të kundërshtarit në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. FC Sherif, skuadra moldave, është pengesa që duhet kaluar nga kampionët e Shqipërisë. Më herët me këtë rival është ndeshur Dinamo e Tiranës, e cila nuk ia ka dalë dot. Duke folur për “Sport Ekspres”, Gjoka nënvizoi: “Përballemi me një klub të madh, që ka një buxhet shumë herë më të madh se gjithë klubet shqiptare dhe ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Di që në shekullin e 21-të e ka humbur vetëm një herë titullin, duke fituar 15 nga 17 kampionatet e fundit, ndoshta rekord i gjithë kohërave. Dinamo në vitin 2010 kishte një skuadër të shkëlqyer dhe nuk ia doli, duke u eliminuar nga Sherifi, që ka shkuar dy herë në grupet e “Europa League” dhe ka një bilanc mjaft të mirë në Champions, pavarësisht se nuk ka mundur asnjëherë të shkojë në grupe.

Vitin kur eliminoi Dinamon tonë, vetëm me 11-metërsha u mund nga Dinamo e Zagrebit, në turin final, para grupeve të Champions-it. E pranoj që mund të na shkonte edhe më keq, duke parë shortin, por në asnjë mënyrë nuk duhet të mendojmë se ishim me fat, pasi rivali është shumë serioz dhe duhet impenjim maksimal. Uroj që të kemi edhe pak fat, por tani duhet të punojmë fort në fushë e në merkato, përveçse të studiojmë mirë kundërshtarin, që me sa di unë, ka trajner italian me shumë eksperiencë, ndaj niset favorit”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar