Kampionati Shqiptar

Gjoka: Pësimi i golit na goditi psikologjikisht, situata e vështirë…

Vllaznia ka zhgënjyer në ndeshjen me decisive të sezonit. Në përplasjen e drejtpërdrejtë me Teutën, rivalen për mbijetesë, skuadra e Ernest Gjokës është mundur pastër dhe me lehtësi, 2-0. Për pasojë, kuqeblutë dhe durrsakët janë tashmë në kuotë të barabartë pikësh, ndaj lufta në vazhdim do të jetë edhe më ethshme mes tyre, përfshirë këtu edhe Kamzën, që ka një pikë më shumë në klasifikimin aktual. Trajneri i Vllaznisë tha pas ndeshjes:

“Ishte një ndeshje që, për hir të së vërtetës nuk e luajtëm mirë. Teuta ka qenë e vështirë, por edhe për ne, mesa duket, ishte dita më e keqe. I aktivizuam të 4 sulmuesit që kishim në dispozicion, pasi rezultati i pjesës së parë ishte zhgënjyes dhe nuk kishim ç’të prisnim më. Deri në momentin e golit të parë po e menaxhonim mirë ndeshjen dhe patëm rastet tona.

Në momentin e golit pësuam një humbje të përqendrimit, kjo edhe për shkak të situatës së vështirë, ku ndodhemi, ndërsa goli i dytë na dha goditjen fatale. Gjithsesi, duhet të shohim para dhe të rimarrim veten, ndonëse do të jetë shumë e vështirë.

Sukaj dhe Ribaj? Ndeshja e dytë, që luajtën bashkë në sulm. Kësaj here nuk i furnizuam sa duhet me krosime. Gjithsesi, të dy ata patën mundësi për të shënuar, por nuk ia dolën. Planet tona u rrëzuan në momentin e pësimit të golit, që na goditi psikologjikisht.

Normalisht, këta djem, përveçse futbollistë, e kanë edhe skuadrën e zemrës Vllazninë, ndaj e përjetojnë më shumë, por, gjithsesi, janë mjaftueshëm profesionistë për të menaxhuar edhe presionin. Kemi ende edhe 7 ndeshje për të luajtur dhe do të bëjmë maksimumin, për të marrë sa më shumë pikë të mundemi”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar