Futboll

Gjoka: “Rezultat i drejtë. Incidenti? Policia të marrë masat”

Është ndjerë i kënaqur me barazimin dhe një pikë të çmuar të fituar në transfertë ndaj Luftëtarit, ndaj trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka e ka konsideruar një rezultat të drejtë atë pa gola mes dy ekipeve që kanë përmbyllur javën e 21-të. Në fjalën e tij pas ndeshjes, Gjoka ka folur për paraqitjen e ekipit të tij, por gjithashtu edhe për incidentin në të cilin u përfshi gjatë javës.

“Ishte plani ynë për të mos humbur, pasi e njohim shumë mirë Luftëtarin. Ka 3 sulmues nga më të mirët në superligë, ndaj duhej të ishim të kujdesshëm. Të dyja skuadrat shpërdoruan shumë raste, por në fund mendoj se barazimi ishte i drejtë për të dy. Do t’i bënim qejfin vetes nëse do të thonim se erdhëm të qetë në këtë përballje. Ishte një traumë e madhe, ndaj këto ditë kanë qenë të vështira, sidomos për skuadrën të shohë një ngjarë të tillë të shëmtuar. Kjo skuadër ka personalitet dhe dinjitet, dhe u mundua që ta kalojë këtë episod dhe të luanim një ndeshje të mirë, me qëllim për të marrë pikë në Gjirokastër”, komentoi trajnri i Vllaznisë, Ernest Gjoka.

“Ka qenë një moment i vështirë për mua, që pas atij incidenti. Kam parë në krahun tim të gjithë skuadrën, që ka ndenjur me mua deri natën vonë. Edhe dashamirësit e skuadrës, që vlerësojnë punën, më kanë ndenjur në krah. Kryetarja e Bashkisë, intelektualë të tjerë. Kjo më jep ngrohtësi që të eci përpara. Mua nuk më takon që të flas në këto momente, pasi ngjarja po shqyrtohet nga policia. Prej 3 muajsh këtu te Vllaznia, kemi qenë të shqetësuar dhe nën trysni. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë dhe jo të gjithë i pëlqejnë trajnerët që vijnë nga jashtë Shkodrës. Ka ardhur një moment që policia të marrë masa t’i ndalojë këtë raste”, deklaroi Gjoka në lidhje me incidentin e rëndë ndaj tij.

Më shumë nga Futboll