Kampionati Shqiptar

Gjoka: Sa shumë histori në Vllaznia-Partizani, një supersfidë elite!

Vllaznia do të përballet me “demat e kuq” në Shkodër. Të mërkurën, në orën 14:00, stadiumi “Loro Boriçi” do të mbartë emocionet e një sfide emocionuese, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë maksimumin. Kuqeblutë për të mbijetuar, ndërsa Partizani për t’iu afruar zonës europiane. Trajneri Ernest Gjoka ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, ku ka folur për nevojën jetike që ka skuadra e tij për pikë në ndeshjen e radhës të kampionatit: “Kjo me Partizanin mendoj se është një nga ndeshjet elitare te futbollit shqiptar, për vetë historinë dhe atë çfarë përfaqësojnë të dyja skuadrat, ndaj ka më shumë përgjegjësi. I kam kërkuar skuadrës sime vetëm dinjitet. Të japin maksimumin, me shpresën që do të arrijmë të marrim maksimumin. Kemi ende nevojë jetike për pikë, ndaj do t’i kërkojmë ato në çdo ndeshje, deri në fund të sezonit. Shpesh jemi penalizuar nga problemet në mbrojtje dhe me ndërhyrjet në merkaton e dimrit, them se e kemi sistemuar me 90 % këtë repart.

Malota është një lider në prapavijë, për mendimin tim nga më të mirët në qarkullim, pasi i jep qetësi skuadrës. Bashkë me Berishën, por edhe Mersinin e Gocajn, bëjnë një 4-she shumë solide, që na ofron shumë garanci. Nëse ke qetësi dhe siguri në prapavijë, atëherë mund të sulmosh më qetësisht dhe të jesh më pranë fitores. Klima para ndeshjes me Partizanin është më e qetë, por shqetësimi vijon të jetë, pasi e dimë se kemi shumë punë për të bërë, sepse kundërshtari që kemi mbrapa është shumë i rrezikshëm dhe diferenca nuk është e parikuperueshme. Na mungojnë shumë pikë, ndaj duhet të japim maksimumin. Nuk duhet të harrojmë gjithë presionin që kemi kaluar, veçanërisht në fillim të këtij viti dhe të ngremë kokën e të ecim përpara, për të mos u kthyer edhe njëherë në atë situatë të para pak javëve. Ftoj tifozët të na mbështesin, sepse ata janë oksigjen për Vllazninë. Kemi nevojë për ta, pasi nuk jemi akoma mirë. Po të jemi të gjithë bashkë, do të ecim përpara”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar