• Gjoka: Ta mbyllim çështjen e titullit ndaj Skënderbeut!

    Publikuar: 18 May 2:33

    Kryesuesit e Superiores janë zhvendosur sot në qytetin e Kukësit, ku do të luajë edhe supersfidën e javës së 35-të, ndaj Skënderbeut. Një 90-minutësh që mund të vendosë përfundimisht fatin e titullit kampion, nëse fitojnë verilindorët e Ernest Gjokës. Duke folur për “Supersport”, trajneri i kuksianëve do të shprehej dy ditë para përballjes, që mund të rezultojë historike: “Është ndeshje shumë e rëndësishme, ndeshja që na siguron titullin kampion. Luajmë përballë një rivali të fortë, si Skënderbeu, kampion në fuqi. Për ne ka vlera psikologjike, ka vlera historike, ka vlera që Kukësi të mbyllë me sukses këtë vit të jashtëzakonshëm. Ne kemi futbollistë me eksperiencë, ndaj kam besim të patundur se do të jenë akoma më vendimtarë në këtë ndeshje, pasi e dinë rëndësinë dhe historinë e saj. Fatmirësisht e kemi të plotë grupin e lojtarëve, ndërsa uroj të mos kemi ndonjë shqetësim e problem në seancat e fundit stërvitore.

    Sa i takon luftës për titull, ajo merr drejtim nëse fitojmë ndaj Skënderbeut. Për momentin, para ndeshjes, mund të them se në lojë është edhe Partizani. Të tria skuadrat janë me meritë aty ku janë, janë dinjitoze dhe të denja për titullin. Akoma s’ka mbaruar asgjë, pasi matematika mban në lojë edhe Partizanin. Skënderbeu është kampion, një skuadër e vështirë për t’u mundur, por nëse do titullin, duhet t’i mundësh edhe korçarët. Gjykimi? Nuk marr përsipër të flas për këtë pjesë, sepse jam trajner. E rëndësishme është që të ketë personalitet dhe luajalitet gjyqtari që do të bëjë drejtësi të shtunën në Kukës. Për mua, i huaj apo jo, nuk ka rëndësi, pasi vendimet i merr federata dhe ne duhet t’i respektojmë. Pritshmëritë? Është një ndeshje e hapur, që i ka brenda të tria rezultatet. Ne jemi të favorizuar, pasi luajmë në fushën tonë, jemi të uritur dhe mezi po e presim shpërthimin përfundimtar, ndaj duam ta mbyllim që këtë javë çështjen e titullit”.


    Lexo postimet e tjera