Kampionati Shqiptar

Gjoka: Vllaznia të bëhet e pathyeshme në fushën e saj!

Pas ndeshjes miqësore ndaj Tërbunit, të cilën kuqeblutë e fituan 1-0, trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka folur për gazetarët: “Deri diku jam i kënaqur nga kjo miqësore testuese, por duhet të kemi parasysh se në fazën sulmuese të punojmë akoma më shumë. Duhet të nxjerrim patjetër golin, sepse nuk ka kuptim nëse ti bën volum loje dhe nuk shënon.Mendoj se Vllaznia është e gatshme për ndeshjen me Kukësin. Themi se po përgatitemi shumë seriozisht për këtë sfidë të parë, që është e vështirë, por gjithsesi besoj dhe shpresoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Jo, nuk jam pessimist. Thjesht jemi të qetë, me këmbë në tokë dhe dalëngadalë të vazhdojmë punën e përshtatjes sa më shpejt të lojtarëve me filozofinë e re tonën. Katër blerjet e janarit? Sigurisht, Sukaj do të luajë nga minuta e parë, sepse është një blerje e rëndësishme.

Është një nga sulmuesit, që ka një CV të jashtëzakonshme, dhe na duhet ta përshtasim sa më shpejt. Nëse s’do të ishte futur ndaj Tërbunit nga minuta e pare, atëherë kur do të ishte përshtatur, s’ka më kohë. Gjithçka u bë që Sukaj jo vetëm të ishte nga minuta e pare, por deri në minutën e fundit. Edhe tre lojtarët e tjerë janë përshtatur. Tashmë duhet që të lidhen akoma më shumë me atë që ne po krijojmë. Ndeshja me Kukësin? Të besojmë dhe ta kalojmë atë me rezultat pozitiv. Ajo që na ka munguar te Vllaznia ka qenë besimi te vetja, te forcat tona. Tashmë këtë duhet ta kthejmë në një forcë të madhe, në një besim të madh dhe psikologjikisht të quhemi të pathyeshëm në fushën tonë”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar