Kampionati Shqiptar

Gjyrezi: Fanella e Vllaznisë kërkon respekt dhe përkushtim

Vllaznia është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Dy ndeshjet e mbetura të kampionatit duhen fituar prej saj, respektivisht ndaj Kukësit dhe Skënderbeut, që të shpresojë te mrekullia, por tashmë asgjë nuk varet nga këmbët e kuqebluve. Kamza dhe Teuta janë dukshëm të favorizuar, sepse kanë nga 5 pikë më shumë në klasifikimin aktual.

Administratori i klubit shkodran të futbollit, Astrit Gjyrezi, pasi ka prezantuar stafin e ri teknik të skuadrës, ka folur edhe për situatën tepër kritike të të tijve: “Të veshësh fanellën e Vllaznisë, kërkon të tregosh respekt dhe përkushtim.

Nuk jemi këtu për të bërë gjyq, nëse ishte faji i njërit apo tjetrit, por duhet të japim maksimumin në këto dy takime të mbetura, përderisa matematika na e lejon të shpëtojmë. Duhet të provojmë gjithçka, pasi në fushë luajmë 11 me 11. Duhet të bëjmë maksimumin, me shpresën se mund t’ia dalim.

Largimi i Gjokës? E mira do të ishte që ai ta përfundonte kampionatin, por gjithsecili bën zgjidhjet e veta. Ne jemi të detyruar të marrim masa. Gjoka më tha se nuk e ndiente veten në gjendje për të vijuar akoma dhe nuk ia vlen të shohim më pas. Dua të falënderoj edhe stafin e ri, që mori përsipër drejtimin e skuadrës në këtë moment shumë të vështirë”.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar