Kampionati Shqiptar

Gledi Mici te Shkëndija e Tetovës, mbrojtësi zyrtarizon të ardhmen

Gledi Mici ka lënë Skënderbeun për Shkëndijën e Tetovës. Mbrojtësi i krahut të majtë, që luajti me Skënderbeun për tri sezone, është prezantuar me anë të një video nga ekipi i Shkëndijës, ku shihet 27-vjeçari në zyrat e klubit. Nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga skuadra e Shkëndijës për akordin me lojtarin, i cili në fund të muajit qershor përfundoi dhe kontratën me Skënderbeun. Ndërkohë që u prit me interes e ardhmja e tij, pas vendimit të CAS për skuadrën korçare, duket se Mici e ka vendosur përfundimisht që nuk do të jetë më pjesë e Skënderbeut.

Tashmë pritet të mësohet më shumë rreth lojtarit dhe të ardhmes së tij me Shkëndijën. Skuadra tetovare, e shpallur kampione e Maqedonisë, është duke vijuar rrugën e saj europiane në Ligën e Kampionëve. Pasi kaloi turin e parë, Shkëndija do të luajë javën e ardhshme kundër Sherif Tiraspolit, ndërkohë që një lojtar si Gledi Mici, me eksperiencë në Kupat e Europës me Skënderbeun, do t’i bëjë shumë punë trajnerit Qatip Osmani në repartin e prapavijës. Gledi Mici ka bërë paraqitje të mira me skuadrën korçare, duke shënuar edhe 4 gola dhe asistuar 5 të tjerë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar