Futboll

Gola e kartonë të kuq në “Selman Stërmasi”, Tirana nis ngritjen

Tirana nis ngritjen në Kategorinë Superiore. Më në fund bardheblutë kanë regjistruar fitoren e parë në këtë sezon të ri pas rikthimin në Superiore, pasi mundën në “Selman Stërmasi”, skuadrën e Luftëtarit me rezultatin 3-1. Pas kësaj fitore, 24 herë kampionët e Shqipërisë renditen në vend të 8-të, në kuotën e 4 pikëve në katër ndeshje. Nga ana tjetër, Luftëtari mbetet në dyshemenë e klasifikimit të Kategorisë Superiore, me zero pikë në katër ndeshje.

Bardheblutë kaluan menjëherë në avantazh me Blazevskin që ka dërguar topin në portën e Luftëtarit që në minutën e 3’ të takimit pas shërbimit perfekt të Dajës. Një gol i shpejtë që krijoi iluzionin se Tirana do të fitonte lehtësisht dhe bindshëm ndaj gjirokastritëve, por nuk ndodhi ashtu. Kush luhej minuta e 14’, miqtë kanë barazuar rezultatin me një aksion vërtetë akrobatik, me tre pasime nga mbrapa, të finalizuar me autogolin e Dokës, që devijoi topin e ekzekutuar nga Ymeraj në një gjysmë roveshate. 24 herë kampionët e Shqipërisë nuk janë dorëzuar dhe më pak se 10 minuta më vonë, pikërisht në të 23’ kanë rigjetur avantazhin, kësaj here me Turtullin që ka shtyrë në rrjetë një top që parakaloi të gjithë zonën e Luftëtarit, për të fiksuar rezultatin në shifrat 2-1.

Ndërkohë që pjesa e parë u shënjua nga tre gola, fraksioni i dytë i lojës u karakterizua nga kartonët e kuq. Plot dy të tillë janë akorduar nga arbitri i takimit, përkatësisht nga një për çdo skuadër. Ishte Tirana skuadra e parë e ndëshkuar, me Hoxhallarin që ka regjistruar kartonin e tij të dytë të verdhë në minutën e 55’, për të lënë bardheblutë në inferioritet numerik. Luftëtari nuk diti të shfrytëzojë epërsinë numerike për të ndryshuar rezultatin, përkundrazi, në të 70’ ka rivendosur barazinë numerike, pasi Janicic është detyruar të lërë fushën, pasi është ndëshkuar edhe ai me kartonin e dytë të verdhë. Kur dukej se gjithçka ishte mbyllur, Greca ka shënuar golin e tretë në favor të bardhebluve në minutën e katërt të kohës shtesë, pas shërbimit të Ngo’o, për të sigluar rezultatin final në shifrat 3-1.

Tirana-Luftëtari 3-1

Shënues: Blazevski 3’, Turtulli 23’, Greca 90’+4 / Doka 14’ (a.g)

Tirana: Lika; Hoxhallari, Turtulli, Imami, Doka; Hasani Daja, Maveje; Kobinah, Blazevski, Oduamadi.

Trajner: Ze Maria.

Luftëtari: Ruci;  Liçaj, Rrapa, Janicic, Xhekson, Aleksi, Ramadani, Ymeraj, Milosavljev, Radoviç, Shkurtaj.

Trajner: Millosh Kostic.

Më shumë nga Futboll