Futboll

Golashënuesit  e Superligës, te Skënderbeu shënojnë të gjithë…

Golashënuesit  e Superligës, te Skënderbeu shënojnë të gjithë…

Superliga mbylli vitin kalendarik me 16-të javë të luajtura për sezonin 2017/18. Skënderbeu e mbylli në vendin e parë këtë vit dhe njëkohësisht u shpall dhe kampion i dimrit, edhe pse zyrtarisht do duhet të pres të luhen dhe dy ndeshje të fazës së dytë të kampionatit. Sot në vijimësi të rubrikave me statistika dhe të dhëna nga kampionati shqiptar, TeleSport bën një vëzhgim të golashënuesve më të mirë të Superligës për momentin.

Elis Bakaj mban kryen e renditjes me 10-të gola të shënuar në 16-të javët e para të kampionatit. Sulmuesi i Kukësit ka qenë një nga më të mirë në këtë sezon në kampionat, por golat e tij edhe pse të shumtë në numër nuk kanë arritur t`a mbajnë skuadrën verilindore në vendin e parë në renditje. I dyti në renditje është Rexhinaldo i Laçit.

Sulmuesi nga Mozambiku në fillim të sezonit shfaqi probleme për shkak dëmtimi, por tashmë është rikthyer në superformë dhe ka shënuar 7 gola për ekipin kurbinas. Dejvi Bregu i Luftëtarit, Tomislav Busic i Flamurtarit, Sebino Plaku i Kamzës dhe Ali Soue i Skënderbeut, kanë shënuar përkatësisht nga 6 gola secili për ekipet respektive.

Kristal Abazaj i Luftëtarit, Sabien Lilaj te Skënderbeu, Stevan Raçic te Kamza, Fation Sefa te Lushnja dhe Afrim Taku te Skënderbeu kanë shënuar nga 5 gola secili këtë sezon për skuadrat e tyre. Anel Dediç te Teuta, Sidrit Guri te Kukësi, Eduard Rroca te Luftëtari dhe Lorenc Trashi te Partizani kanë shënuar përkatësisht nga 4 gola secili në ekipet e tyre.

Lista e lojtarëve që kanë shënuar deri në tre gola apo më pak se tre  është e madhe, por vlen të theksohet fakti se Skuadra e Skënderbeut edhe pse nuk ka golashënuesin më të mirë aktualisht, ka numrin më të lartë të lojtarëve që kanë shënuar të paktën një gol në 16 ndeshjet e kampionatit. 11-të lojtarë të Skënderbeut kanë gjetur të paktën njëherë rrjetën gjatë këtij sezoni, thënë ndryshe ekipi korçar ka shënon si skuadër, nga sulmuesit, mesfushorët, mbrojtësit pse jo dhe portieri.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll