Boks

Golovkin i çon mesazh Alvarez: Nuk ka të mbijetuar në duelet e mia

Boksieri kazak Gennady Golovkin ka lëshuar sot një mesazh të fortë karshi rivalit të tij të 16 shtatorit, meksikanit Saul “Canelo” Alvarez, përballje që do të zhvillohet pas 6 ditësh në “T-Mobile Arena” të Las Vegasit. Kjo konsiderohet si sfida më e fortë e peshës super të mesme, mes dy kampionësh në ring, ndërkohë që duelohet për titujt kampionë bote të kësaj peshe. Golovkin, 37 fitore e asnjë humbje në përballjet e tij (33 fitore me KO), i ka thënë rivalit meksikan se do t’i mbrojë titujt, pavarësisht se ka përballë një kundërshtar të fortë.

Saul “Canelo” Alvarez dhe Gennady Golovkin

Nuk ka të mbijetuar në duelet e mia. Boksi është një biznes, ku unë gjithnjë fitoj. Nëse kam arritur t’i fitojë gjithë këto duele me KO e ka një arsye”, u shpreh Golovkin, që në përballjen e fundit, atë ndaj Daniel Jacobs, të zhvilluar në mars të këtij viti, fitoi me vendim unanim, pas 9 vitesh ku fitoret ishin me KO. “Jacobs ishte një boksier i fortë dhe më dha një leksion të mirë, duke shkuar deri në raundin e 12-të. Nuk e kisha bërë një gjë të tillë më parë, por isha në formë edhe pas raundit të 12-të. Jacobs u ka shkaktuar të gjithëve probleme”, tha Golovkin.

Më shumë nga Boks