Connect with us

Futboll

Griezmann: Anglia? Mot i keq! Bundesliga? S’më tërheq!

Ku e sheh të ardhmen e tij Antoine Griezmann? Këtë pyesin të gjithë, por as ai vetë nuk e di. Manchester United, PSG dhe FC Bayern janë tri skuadrat e interesuara për të, por francezi duket se i ka lidhur rrënjët fort me Atletico Madrid-in. Duke folur për radion franceze “RMC”, sulmuesi nënkampion Evrope së fundmi ka rrëfyer mendimet e tij për Premier Ligën, Bundesligën, Ligën 1 dhe La Ligën, si destinacione të mundshme për të.

Fillimisht, Griezmann shpjegoi se nuk po mendon për t’u larguar. “Te Real Sociedad, e ndjeva se duhej të largohesha. Tani nuk e kam këtë dëshirë, – tha 25-vjeçari, i cili në vitin 2016 arriti në dy finale, të Ligës së Kampionëve dhe të Kampionatit Evropian me Francën. Ai, gjithsesi, la edhe një derë të hapur. “Nuk e dimë se si do të mbyllet sezoni. Nëse shkon keq, mund të mendohem nëse duhet të iki, por për momentin kjo nuk është një çështje për mua”, – shtoi ai.

Këmbëshpejti, i cili ka rinovuar deri në vitin 2021 me bardhekuqtë, nuk ka ndonjë simpati të veçantë për ligat e tjera. “Në rastin e Anglisë, kam shumë dyshime për jetën time private. Me gjithë atë shi dhe mot të keq e kam të vështirë, pasi nuk do të ndihesha mirë.” Lajm i keq për “Djajtë e kuq”, por as bavarezët të mos presin gjë. I pyetur nëse i pëlqen Gjermania apo Franca, Griezmann u përgjigj: Bundesliga nuk është kampionat që më tërheq. As ai francez.”

Po çfarë do ky lojtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha në kontinent? Nëse më duhet të zgjedh, do të preferoja La Ligën, sepse përshtatet me stilin tim,” – shtoi ai. Megjithatë, Spanja ka kufij dhe Griezmann e pranoi këtë fakt. “Në La Liga janë Barcelona dhe Real Madrid. Barça ka treshen e vet në sulm, kurse te Reali e kam të pamundur prej klubit tim aktual. Mendoj se ka edhe një marrëveshje ndërmjet dy klubeve”, – përfundoi sulmuesi.

 

 

Më shumë nga Futboll