Futboll

Griezmann nuk lëviz, Barcelona ruan miqësinë me Atletico-n

Griezmann nuk lëviz, Barcelona ruan miqësinë me Atletico-n

Edhe në ditët më të vështira, Barcelona është pikërisht si parulla e saj e përjetshme, “më shumë se një klub”. Katalanasit nuk e kanë më yllin e skuadrës, Neymar, por kjo nuk do të thotë se do të tregohen të pamëshirshëm në treg për të gjetur pasuesin e tij.

Siç shkruan gazeta “Marca”, tek Atletico Madrid kanë marrë frymë lirisht, sepse Antoine Griezmann, lojtar i përmendur si synim i Barcelonës, nuk ka shans të transferohet në “Camp Nou”. Arsyeja është e thjeshtë. Presidenti i nënkampionëve të Spanjës, Josep Maria Bartomeu, i ka garantuar shefit ekzekutiv të bardhekuqve, Miguel Angel Gil Marin, se nuk do të përpiqet ta kryejë këtë operacion të bujshëm.

#EnjoyMyGame

A post shared by Antoine Griezmann (@antogriezmann) on

Duke marrë parasysh interesin e madh të klubeve, Atletico Madrid para një muaji e ngriti nga 100 në 200 milionë euro klauzolën e largimit të sulmuesit. Bartomeu, kështu, ka telefonuar drejtuesin madrilen vetëm për ta pyetur për gjendjen aktuale të lojtarit dhe nëse ekziston mundësia për ta blerë. Gil Marin i është përgjigjur se klubi do të vuante shumë nëse Griezmann do të largohej, sepse dënimi i FIFA-s me ngrirjen e merkatos hyrëse nuk e lejon ta zëvendësojë.

Bartomeu ka kuptuar se Atletico Madrid nuk do të hynte kurrsesi në negociata për shitjen e 24-vjeçarit, madje as për shifrat e përmendura në medie, kështu që ka vendosur të ruajë miqësinë ndërmjet klubeve. Kjo është diçka shembullore!

 

Më shumë nga Futboll