La Liga

Deschamps i jep fund zërave, zbulon të ardhmen e Griezmann

Trajneri francez, Didier Deschamps, zbuloi një pjesë të së ardhmes në rang klubi të Antoine Griezmann. Ai ishte i qartë: sulmuesi i Atletico Madrid po qëndron në Spanjë. Griezmann pritet të njoftojë të ardhmen e tij para se të fillojë Kampionati Botëror, konkretisht ndeshja e parë e “Les Bleus” kundër Australisë, të shtunën.

27-vjeçari është i lidhur me një lëvizje drejt kampionëve të La Liga-s, por mund të mbetet ende tek Atletico Madrid. Ndërkohë, Manchester United ishte i lidhur ngushtë me Griezmann verën e kaluar, me disa raporte që tregonin se interesi i “Djajve të Kuq” është rikthyer edhe këtë vit.

Megjithatë, Deschamps duket se i dha fund diskutimit për një lëvizje në Angli, siç tha ai në një konferencë për shtyp, duke saktësuar se sulmuesi do të qëndrojë në Spanjë. “Flitet shumë për të ardhmen e Griezmann dhe Nabil Fekir, – tha Deschamps para gazetarëve. – Nuk është një situatë ideale, por gjithsesi nuk do të na shpërqendrojë. Antoine Griezmann do të mbetet në Spanjë, kjo është aq shumë e qartë, ndaj nuk ka pse shqetësohet”.

Barcelona thuhet se është gati të paguajë klauzolën e lirimit të Griezmann prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, lëvizja nuk është ende e sigurt dhe presidenti i La Liga-s deklaroi besimin e tij këtë javë që të dy, Griezmann dhe Cristiano Ronaldo, do të mbeten në klubet spanjolle edhe sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga La Liga