Champions League

Grupi B: Bayern dhe PSG-ja e nisin me goleada duelin për kreun

Grupi B: Bayern dhe PSG-ja e nisin me goleada duelin për kreun

Në grupin B të Champions League kurrsesi nuk mund të kishte surpriza. Bayern München dhe PSG-ja sot fituan lehtësisht ndeshjet e tyre të para në kompeticionin më të madh në kontinent. 

Kampionët e Gjermanisë pritën në “Allianz Arena” ish-skuadrën e trajnerit shqiptar Besnik Hasi, Anderlecht, me të cilën nuk vuajti për asnjë minutë lojë, por fituan 3-0. Në 45′ e para bavarezët nuk është se shkëlqyen, pavarësisht se thjesht duke kujtuar emrat e ofensivës, Robben, James, Ribery dhe Lewandowski, trembesh. Golin e parë e shënoi sulmuesi Robert Lewandowski me penallti pas 12 minutash lojë. Shumë e lehtë për polakun, ashtu si edhe për rekordmenët më pas, sepse Anderlecht nga aty luajti me një lojtar më pak. Pjesa e dytë nisi me më shumë vrull. Bayern shtoi aksionet sulmuese nga krahët dhe u bë më i paparashikueshëm. Goli i dytë u shënua nga Thiago Alcantara në të 64′, ndërsa i treti nga Joshua Kimmich në sekondat e fundit të lojës. Kështu, ndeshja u mbyll me triumfin e vendësve, të cilët fituan paksa qetësi pas humbjes 2-0 me Hoffenheim-in në kampionat.

PSG-ja, ndërkohë, i mbylli punët shpejt, teksa shënoi tre gola në 40 minutat e para të takimit me Celtic-un. Neymar pati nevojë për vetëm 19 minuta për të nisur goleadën parisiene, i shoqëruar në të 34′ nga Kylian Mbappe 34 dhe në të 40′ nga Edinson Cavani me penallti. Pra, praktikisht shënoi treshja e sulmit të trajnerit Unai Emery. Në pjesën e dytë, Mikael Lustig shënoi një autogol në disfavor të skocezëve dhe në fund Cavani shënoi golin e dytë personal, duke kompletuar kështu fitoren 5-0 të nënkampionëve të Francës.

Pyetja për t’u bërë është e thjeshtë: cili nga këta gjigantë, Bayern apo PSG, do të dalë si vend i parë nga ky grup?

Më shumë nga Champions League