Bundesliga

Guardiola e largoi, Bayern Munich rikthen njeriun e katër dekadave

Dr. Hans-Wilhelm Müller-Wohlfahrt, i cili në vitin 2015 dha dorëheqjen si kreu i shërbimeve mjekësore të Bayern Munich për shkak të marrëdhënieve të tij të komplikuara me trajnerin spanjoll Pep Guardiola, do të kthehet në klub, ku ai ka punuar për gati katër dekada. Siç është raportuar në gazetën “Bild”, mjeku ka rënë dakord me presidentin Uli Hoeness dhe kreun e bordit, Karl-Heinz Rummenigge, për të orientuar departamentin mjekësor bavarez. Për momentin, klubi i Mynihut ka shmangur zyrtarisht të folurën për këtë.

Javën e kaluar, Bayern njoftoi largimin e Volker Braun, mjekut, i cili në vitin 2015 zëvendësoi Müller-Wohlfahrt. Ky i fundit është konsideruar si një njeri që gëzon besimin e plotë të Hoeness dhe, tashmë, të drejtorit profesional sportiv të Bayern Munich, Hasan Salihamidzic. Kësisoji, mjeku do të merrte pozitën e drejtorit të departamentit mjekësor të Bayernit. Bir i një ministri, mjeku në fjalë trajton edhe disa nga figurat më të rëndësishme sportive të Gjermanisë, si Boris Becker, Sven Hannawald, Katarina Witt. Në listën e gjatë të pacientëve të tij ishte edhe sprinteri xhamajkan, Usain Bolt, njeriu më i shpejtë në histori.

Më shumë nga Bundesliga