Champions League

Guardiola: E pamë që nuk ishte penallti, ndaj duhet VAR

Trajneri Manchester City-t, Pep Guardiola ka insistuar në domosdoshmërinë e prezencës së VAR-it për të ndihmuar arbitrat pas penalltisë së dhënë për shkak të “ngatërrimit të Sterling me këmbët e tij”.

Manchester City mori një fitore 6-0 ndaj Shakhtar Donetsk, ndërsa dyfishimi i rezultatit erdhi falë penalltisë së dhënë nga arbitri Viktor Kassai për shkak të rrëzimit të Sterling ndërkohë që kishte hyrë në zonë.

Guardiola nuk iu shmang debatit pas ndeshjes, duke pranuar se City e kuptoi që nuk ishte penallti: “Ne e kuptuam që nuk ishte penallti, ai donte të bënte një ngritje të topit dhe këmba i ka ngecur në tokë.”

“Ne nuk duam të shënojmë gola në të tilla situata, por ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe ndoshta Sterling duhej të sqaronte gjithçka,” – ka thënë trajneri spanjoll me idenë që Sterling duhet t’i kishte thënë arbitrit.

“Ne njohim VAR-in dhe arbitrat duhet të ndihmohen pasi as ata nuk duan të gabojnë. Duan të bëjnë performancë të mirë, por loja është e shpejtë dhe lojtarët janë shumë të aftë. Vendimi zgjati 3-4 sekonda, penallti apo jo penallti?”

Ndërkaq, trajneri i Shakhtar Paulo Fonseca pas ndeshjes nuk e ka justifikuar ekipin e tij, duke thënë: “Është e vështirë të flasësh për një penallti pas një rezultati të tillë, por është qesharake, kaq mund të them. Të gjithë e panë, por nuk ishte shkak i humbjes së ndeshjes sonë penalltia.”

Më shumë nga Champions League