• Guardiola e pranon se Klopp ka diçka ku ia kalon

    Publikuar: 19 Mar 2:20

    Premier League sot (17:30) do të ndizet flakë nga kryendeshja Manchester City-Liverpool në “Etihad Stadium”. Trajneri i skuadrës blu, Pep Guardiola, ia ka shtuar dozën e madhështisë kësaj sfide duke shprehur admirimin e tij më të madh për homologun Jürgen Klopp. Kur ishte te Bayern, Pep e ka pasur shumë herë si kundërshtar gjermanin, me këtë të fundit në stolin e Borussia Dortmund-it. Në Bundesligë katalanasi rezultoi fitues në tre sezonet e tij si bavarez, por është mahnitur nga mënyra se si Klopp është sjellë me të, sidomos pas humbjes 4-2 në Superkupën e Gjermanisë në vitin 2013.

    “Ai është një trajner karizmatik. E admiroj së tepërmi, është trajner i klasit të lartë”, – tha Guardiola në “Sky Sports”. “Te Bayern unë isha një trajner i huaj i cili sapo kishte shkuar në Gjermani dhe jam mahnitur nga mënyra se si ai u soll me mua, kur ishim duke korrur suksese. Dita e parë kur humba Superkupën ishte e njëjtë, ai u soll si zotëri. Mënyra se si luajmë është krejt ndryshe, sepse unë jam katalanas dhe ai gjerman. Ai i feston golat shumë më mirë se unë dhe i përqafon lojtarët më mirë gjithashtu. Është gjithmonë kënaqësi të përballesh me trajnerët më të mirë në botë”, – shtoi 46-vjeçari.


    Lexo postimet e tjera