• “Guardiola? Mou është trajneri më i mirë në botë”

    Publikuar: 11 Mar 10:44

    Jose Mourinho është një nga trajnerët më të mirë në botë, jo Pep Guardiola, sipas trajnerit të Middlesbrough Aitor Karanka. Mourinho dhe Guardiola janë transferuar në Mançester në fillimin e këtij sezoni. Karanka, skuadra e të cilit është eliminuar nga Manchester City në çerekfinalet e Kupës së Anglisë, beson se United ka marrë trajnerin më të mirë. “Pep nuk është trajneri më i mirë në botë. Ai është Mourinho”, ka thënë Karakanka për shtypin anglez. “E ka treguar këtë në drejtim të Porto-s, tek Inter, Chelsea, Real Madrid dhe Manchester United. Ai ka qenë më i miri në La Liga dhe është akoma sot më i miri. Nuk kam punuar kurrë me Pep, por Jose e ka filluar këtë sezon mes kritikave, por ka arritur të fitojë që tani dy trofe për Manchester United. Jose është më i miri, për mua. Mendoj se Pep duhet të fitojë Premier League për të treguar se është një nga më të mirët. Duhet të fitojë një trofe në këtë sezon”.

    Mourinho e ka udhëhequr United drejt triumfit në Supërkupën e Anglisë dhe në Kupën e Ligës, ndërsa skuadra është akoma në garë në Euorpa League dhe Kupën e Anglisë. City, nga ana tjetër, është kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Anglisë dhe është një hap larg çerekfinaleve të Champions-it, ndërsa mund të thuhet se është jashtë luftës për titull në kampionat, duke parë se Chelsea i Conte është dhjetë pikë larg. Karanka beson se Gurdiola, i cili ka fituar shumë me Barcelona dhe Bayern Munich, ka pasur vështirësi për t’u përshtatur në Angli. “Mendoj se ai e ka kuptuar se këtu zhvillohet një futboll ndryshe, një kampionat ndryshe. Nuk ka qenë aspak e lehtë për të”, ka thënë trajneri i Middlesbrough. “Ai ka shumë lojtarë të mirë, por mentaliteti këtu është ndryshe. Duhet kohë për t’u përshtatur”.

     


    Lexo postimet e tjera