Bundesliga

Gündogan zbulon pse Guardiola vendosi të lërë Bayern-in

Gündogan zbulon pse Guardiola vendosi të lërë Bayern-in

Ilkay Gündogan sot do të ishte lojtar i Bayern-it, nëse Pep Guardiola do të vazhdonte të punonte në Mynih. Mesfushori gjerman, i cili aktualisht luan te Manchester City, në një intervistë për “Zeit”-in ka zbuluar se katalanasi e ka kërkuar kur ishte trajner i bavarezëve.

Madje, bashkë me të Pep ka dashur edhe një gjerman tjetër, Leroy Sané, por Bayern nuk ia ka pranuar sugjerimet dhe kjo është arsyeja pse mjeshtri i taktikave vendosi për t’u larguar nga rekordmenët.

“Unë dhe Pep ndajmë të njëjtën ide për futbollin ideal, pra të mbajmë topin, të luajmë me të, ta dominojmë kundërshtarin në mesfushë me lojtarë shumë teknikë”, – është shprehur Gündogan. Biografi i Guardiolës ka zbuluar gjithashtu se trajneri ka dashur të formojë një mesfushë të përbërë nga Thiago Alcantara dhe Ilkay Gündogan, e cila do të ishte në kategorinë e dyshes legjendare Xavi-Iniesta, por Bayern ka thënë “jo”.

Kjo, edhe pse mbetet ende diçka e pakonfirmuar, tregon se Guardiola nuk ka pasur mbështetjen e nevojshme nga klubi. Pas tre vitesh në “Allianz Arena”, ai kaloi te Manchester City, aty ku i lejohet të blejë lojtarët që do.

Më shumë nga Bundesliga