Kampionati Shqiptar

“Guri show”, Kukësi shkatërron 4-0 Partizanin

Ishte parashikuar si superndeshja e raundit të 29-të të Superligës shqiptare, por në fakt rezultoi një goleadë për kampionët në fuqi. Kukësi ka shkatërruar me rezultatin 4-0 Partizanin, që nuk tregoi asgjë në këtë ndeshje, ku pritshmëritë ishin të mëdha.

Pjesa e parë fillon vrullshëm për të dyja ekipet, por me Kukësin që hidhet menjëherë në sulm dhe kërkon avantazhin. Në fillim një tentative e dështuar, më pas Sindrit Guri kalon në avantazh vendasit në minutën e 8’. Pas një krosimi nga goditja e këndit, sulmuesi shkodran gjuan me kokë, aty ku Alban Hoxha e kishte të pamundur ta kapte topin.

Pas këtij goli të shpejtë të pësuar, Partizani mundohet të reagojë, por vendasit janë shumë mirë të vendosur në fushë dhe vijojnë të ushtrojnë presion. Falë këtij presioni Kukësi do të arrinte edhe të dyfishonte avantazhin në 2-0, në minutën e 28’. Është Dzaria, i cili gjendet i vetëm në zonë vetëm 3 metra larg vijës fatale, gjuan dhe shënon për herë të dytë në këtë takim. Partizani kërkon të reagojë pas këtij goli, por nuk ia del dhe has në një mbrojtje solide të Kukësit. Ndërkohë humbja për të kuqtë merr të tjera përmasa në minutën e 39’. Është sërish Sindrit Guri që fiton duelin me kokë me Atandën dhe shënon golin e tretë për vendasit. Me këtë dominim të verilindorëve do të mbyllej pjesa e parë e takimit.

Pjesa e dytë nis më e ngadaltë, me Kukësin që mundohet të administrojë avantazhin, ndërsa Partizani që kërkon të shkurtojë disavantazhin. Kur ndeshja ishte duke iu drejtuar fundit dhe ritmi i lojës po vinte duke rënë, është sërish Sindrit Guri që kompleton tripletën e tij me supergol. Këtë herë me një gjuajtje mjeshtrore nga goditja e dënimit, në minutën e 79’ sulmuesi shkodran e çon topin në një trajektore që është e pakapshme për Alban Hoxhën. 4 – 0 me një super Sindrit Guri dhe këtë herë Partizani dorëzohet pa kushte duke marrë me vetë një humbje turpëruese, të dytën për këtë vit, pas asaj në Gjirokastër 5-0 me Luftëtarin në fazën e dytë.

Ndërkohë skuadra kuksiane me këtë triumf të thellë kundër “të kuqëve”, fillon të përgatitet për ndeshjet europiane, pasi vendi i dytë është mëse i blinduar.

Sakaq në dy ndeshjet e tjera të orës 16:00 në Superligën Shqiptare, Flamurtari ka fituar me Lushnjen e vendit të fundit në shifrat 0 -2, ndërsa Luftëtari ka mposhtur Laçin në shtëpi 2-1.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar