• Hallaçi: Nuk na ndal asgjë, as Tirana me Partizanin!

    Publikuar: 21 Apr 11:26

    Kukësi ndan kreun e Superiores me Partizanin. Skuadra verilindore mbetet ende e pamposhtur në këtë kampionat, ndërsa beson dhe shpreson se do ta ruajë këtë rekord edhe pas dy sfidave të radhës, që do t’i luajë në shtëpi me Tiranën dhe Laçin. Kapiteni Rrahman Hallaçi i paralajmëron këta dy kundërshtarë se në “Zeqir Ymeri” nuk kanë asnjë shans të marrin pikë. Më tej, edhe një vlerësim për Partizanin, përplasja direkte me të cilin mbetet të përgatitet në kohën e duhur. Në një prononcim për “Supersport”, 33-vjeçari do të pohonte:

    “Pas atij barazimi që bëmë me Vllazninë në shtëpi, skuadra jonë ishte e vetëdijshme se shumë shpejt do ta kapte sërish vendin e parë. Kjo skuadër është ndërtuar për të shkuar përpara, drejt trofeut. Nuk na tremb asgjë. Mendoj se ambiciet tona i treguam sërish, në mënyrën më të mirë të mundshme, ndaj Teutës në Durrës, ku bëmë autokritikën e barazimit në shtëpi me Vllazninë, që me të drejtë u konsiderua një hap fals. Bëmë një paraqitje mjaft të mirë, si me lojë, edhe me rezultat, ndaj u rikthyem shpejt aty ku ishim, në krye të renditjes. Tani të shohim përpara, sepse na presin të tjera sfida shumë të rëndësishme. Në shtëpi kemi qenë shumë të fortë, por po e tregojmë veten edhe në transfertë, ku po marrim maksimumin.

    Ne kemi nxjerrë të gjithë së bashku një konkluzion, se ndeshja me Vllazninë ishte një rastësi, që nuk morëm më shumë se barazimin. Tashmë nuk ka asnjë lloj shansi që skuadër tjetër të na marrë pikë në Kukës. Në shtëpi jemi shumë të fortë, gjë që e kemi treguar në vazhdimësi. Tirana? Duke parë tabelën dhe renditjen e saj, mendoj se ka pasur probleme, sepse tashmë po luan për mbijetesë. Megjithatë, kjo ka pak rëndësi për ne. Tirana është ekip me emër të madh, me fanellë të rëndë, ndaj mendoj se duhet vlerësuar maksimalisht. Luajmë në fushën tonë dhe Tirana e kushdo tjetër nuk ka shans të na marrë pikë. Mbas gabimit me Vllazninë, nuk ka asnjë mundësi që të lëmë pikë të tjera në shtëpi. Mungesat? Kuptohet, Imami, Shameti dhe Rrumbullaku janë lojtarë, që kanë luajtur vazhdimisht në formacion. Pra, janë pika referuese dhe tepër të rëndësishme në skuadrën tonë.

    Mund ta ndiejmë mungesën e tyre, sepse janë lojtarë kryesdorë të mbrojtjes sonë. Megjithatë, ne kemi alternativa dhe do t’ia dalim. Dy ndeshje në shtëpi, ndaj Tiranës dhe Laçit, pastaj vjen përballja direkte me Partizanin? Ne vazhdojmë të themi se radhën e ka Tirana, nuk mendojmë gjë tjetër për momentin. Kemi kohë për të menduar për ndeshjen ndaj Partizanit. Do të bëjmë çmos që të shkojmë me pikë përpara në ndeshjen ndaj Partizanit. Jo se kemi frikë Partizanin, me gjithë respektin maksimal për këtë skuadër dhe tifozërinë e saj të mrekullueshme, por ne duhet të shikojmë ndeshjen e radhës dhe më pas të mendojmë për përplasjen direkte me të kuqtë, ku ndoshta mund të na bëjë punë edhe barazimi.”    


    Lexo postimet e tjera