Formula 1

Hamilton “pole” në pistën e Silverstone, ndjek Ferrari me Vettel e Raikkonen

Lewis Hamilton me Mercedes siguroi “pole position” në pistën e Silverstone dhe do ta nisë ditën e diel garën e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe nga vija e parë e startit. Në krah të tij do të jetë piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, ndërsa në vijën e dytë të nisjes do të jenë Kimi Raikkonen me Ferrari (i treti) dhe Valtteri Bottas me Mercedes (i katërti). Hamilton dha kohën 1’25”892, rekord për këtë pistë dhe “pole” i gjashtë për britanikun në pistën e shtëpisë.

Hamilton nuk zhgënjeu para fansave të tij, duke qenë më i shpejti në pistë, por ky rezultat u arrit në xhiron e fundit të shpejtë, pas një dueli “rrotë më rrotë” me Vettel, që ishte vetëm 44 të mijëtat më i avashtë. Britaniku dhe dy pilotët e Ferrarit ishin të vetmit që zbritën në 1’25”, çka tregon se të dyja makinat janë thuajse të njëjta dhe diferencën nesër në garë do ta bëjë starti i saj, strategjia dhe administrimi i gomave.

Pas katërshes klasike të pilotëve Mercedes-Ferrari u renditën si zakonisht dy makinat Red Bull, me Max Verstappen që la pas shokun e tij të skuadrës Daniel Ricciardo. Më pas, në “top-10” u klasifikuan edhe Magnussen e Grosejan me Haas, Leclerc (Sauber) dhe Ocon (Force India). Gjithsesi, gara e nesërme pritet të jetë spektakolare dhe ku kushtet e motit mund të jenë vendimtare për pilotët.

Në përfundim të sesionit të parë të provave të lira, u eliminuan Sainz (Renault), Vandoorne (McLaren), Sirotkin e Stroll me Williams si dhe Hartley (Toro Rosso). Dy pilotët e fundit nuk dhanë asnjë kohë gjatë provave të sotme, për shkak të problemeve që kishin me makinat e tyre, ndërkohë që më i shpejti në këtë sesion të parë ishte Vettel me Ferrari.

Ndërsa në fund të sesionit të dytë, ngritën “flamurin e bardhë” pilotët Hulkenberg (Renault), Perez (Force India), Alonso (Mclaren), Gasly (Toro Rosso) dhe Ericsson (Sauber). Kohën më të shpejtë në këtë sesion e dha Hamilton me Mercedes. Nesër, në orën 15:10, do të nisë gara e Çmimit të Madh të Britanisë në Formula 1, që zhvillohet në pistën e Silverstone.

Më shumë nga Formula 1