Formula 1

Hamilton triumfon në Silvestone, Vettel i shtati, por ruan kreun me 1 pikë

Lewis Hamilton fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Formula 1, suksesi i 4-t sezonal për pilotin britanik, që para fansave të tij, në pistën e Silverstone, nuk zhgënjeu, duke arritur një triumf të lehtë dhe të merituar. Ky është suksesi i katërt radhazi i Hamilton në garën e shtëpisë, i pesti në total në këtë pistë. Piloti i Mercedes nuk e vuri në asnjë moment në dyshim fitoren, duke zhvilluar një garë më vete dhe i pashqetësuar nga rivalët, duke marrë pikë të rëndësishme në betejën për titullin kampion. Në podium, bashkë me Hamilton u ngjitën edhe dy pilotë finlandezë, Valtteri Bottas me Mercedes (i dyti) dhe Kimi Raikkonen me Ferrari (i treti), ndërsa Vettel e mbylli garën në vendin e shtatë, pas problemeve që pati me gomën dy xhirot e fundit. Një garë e dështuar për “kokëkuqen” dhe një fitore e dyfishtë fantastike për Mercedes.

Momenti i startit te gares se Silverstone

Gara nis me surpriza (starti shtyhen pas probleme në xhiron e formatimit të Palmer), pasi Vettel humbet vendin e tretë kundrejt Verstappen, por nuk mungojnë edhe kontaktet në pistë, që detyrojnë organizatorët të fusin në pistë makinën e sigurisë pas dy xhirosh. Bottas, që e nis garën nga vendi i nëntë, nis gradualisht të rikuperojë pozicione, ndërkohë që në krye qëndron Lewis Hamilton, që mban pas pa asnjë problem Kimi Raikkonen me Ferrari. Por beteja për vendin e tretë mes Vettel e Verstappen është mjaft e fortë, me pilotët që nuk lëshojnë metër në pistë. Në mesin e garës nisin ndalesat e para, me Vettel që hyn më shpejt se pilotët e tjerë të kreut.

Verstappen e Vettel duelojne per podiumin

Kjo ndalesë e shpejtë jep rezultat, pasi Vettel arrin të rifitojë pozicionin karshi Verstappen, që hyn një xhiro më pas dhe del pas rivalit gjerman të “kokëkuqes”. Por ai që befason në pistë është Bottas, që duke ërpfituar nga ndalesat e rivaklëve ngjitet deri në vendin e dytë, pas shokut të skuadrës Hamilton, që ruan kreun edhe pas dnërrimit të gomave. Kështu, në mesin e garës, dy makinat Mercedes dominojnë dhe lënë pas dy rivalet e Ferrarit e pas tyre vijnë dy makinat Red Bull, por të shkëputura. Rivalitet ka edhe për zonën e pikëve, ndërkohë që retë mbi pistë kërcënojnë për shi, por që nuk bie.

Momente nga gara e Silverstone

I fundit nga pilotët e kreut që hyn në bokse është Bottas, që del pas ndërrimit të gomave në vendin e katërt, ndërsa dy pilotët e Ferrarit rikthehen në pozicionet ku nisën garën, pas Hamilton, që bën një garë më vete. Në 10 xhirot e fundit finlandezi i Mercedes nis të kërcënojë Vettel për një vend në podium dhe ia del mbanë ta parakalojë, duke u ngjitur në vendin e tretë e më pas kërcënon edhe Raikkonen, duke e parakaluar edhe atë. Bottas bën mrekullinë dhe del i dyti, duke lënë pas dy makinat Ferrari, që kanë probleme në xhirot e fundit dhe hyjnë në bokse. I pari që ka probleme është Raikkonen, që hyn në bokse dhe lëshon për një moment podiumin, por të njëtin fat të keq ka edhe Vettel, që gjithashtu hyn në bokse xhiron e fundit.

Lewis Hamilton gjate gares se sotme

Raikkonen del sërish i treti, ndërsa Vettel pozicionohet i shtati, pasi parakalohet edhe nga dy makinat Red Bull të Verstappen (i katërti) e Ricciardo (i pesti). Në vendin e gjashtë renditet Nico Hulknberg (Renault), pas tij Vettel dhe dy makinat Force India të Ocon e Perez, ndërsa i dhjeti  u rendit Felipe Massa me Williams. Në fund, ata që festojnë si të çmendur janë dy pilotët e Mercedes, që arrijnë dy vendet e para, me Bottas që bën një rikuperim fantastik, pasi e nisi garën në vendin e nëntë dhe e mbylli në të dytin. Tashmë Botërori bëhet edhe më interesant me dy pilotë që kanë vetëm një pikë diferencë mes tyre (177 për Vettel dhe 176 për Hamilton), por edhe Bottas hedh kandidaturën me 154 pikë. Gara e radhës, pas dy javësh në Hungari.

Renditja e gares se Silverstone

Më shumë nga Formula 1