Kampionati Shqiptar

Hasan Lika kërkoi tetë paga të pamarra, vjen reagimi ironik nga Luftëtari

Hasan Lika e mori drejtimin e Luftëtarit në një moment të vështirë, me objektivin kryesor qëndrimin në Superiore. Realiteti tregoi se trajneri i njohur kryeqytetas bëri historinë me bluzinjtë gjirokastritë, të cilët i dërgoi për herë të parë në Kupat e Europës. Megjithatë, frytet e punës së tij do t’i korrë një trajner slloven, që është emëruar në krye të Luftëtarit.

Një ndarje e çuditshme mes palëve, që ka lënë akoma “gjemba në mish”. Lika ka deklaruar së fundi se klubi gjirokastrit i detyrohet edhe tetë paga. Menjëherë ka ardhur përgjigjia nga “qyteti i gurtë”, përmes një reagimi zyrtar për shtyp:

“Klubi i futbollit Luftetari ndien detyrimin të sqarojë tifozët e tij dhe opinionin publik lidhur me deklaratën e ish-trajnerit Hasan Lika, se i paskemi tetë paga detyrim. Sqarojmë se Luftëtari ka paguar rregullisht çdo futbollist, apo anëtar të stafit dhe nga 42 persona, askush nuk ka patur ankesë.

Trajneri Lika, pagat e pretenduara i ka në formë bonusesh, të cilat paguhen brenda muajit korrik, i cili në Gjirokastër nuk ka ardhur ende. Nuk është mirë t’i kujtojmë trajnerit se premion e mbijetesës e ka marrë në darkën e fundit, para shpërndarjes së ekipit.

Në formë miqësore i kërkojmë trajnerit Lika të mos cënojë imazhin e klubit me të tilla pretendime dhe i urojmë atij që suksesin e arritur me këtë ekip ta përsërisë kudo që do të trajnojë në të ardhmen”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar