Kampionatet në Europë

Hazard: E admiroj Real Madridin, por jam i lumtur te Chelsea

Ylli i Chelsea, Eden Hazard, këmbëngul se është i lumtur në klubin e Premier League, por përsëri pranoi se e admiron Real Madridin. Hazard, 26 vjeç, shpesh është lidhur me një largim nga “Stamford Bridge”, ku ka ardhur nga Lille në vitin 2012. Ndërkombëtari i Belgjikës ka folur më parë për admirimin e tij për “Los Blancos” dhe trajnerin e tyre, Zinedine Zidane. Hazard, i cili ka bërë disa nga paraqitjet e tij më të mira, me gjashtë gola dhe pesë asiste në 15 ndeshje, në të gjitha garat, këtë sezon, tha se ai ishte ende i lumtur te Chelsea.

“Unë jam gjithmonë shumë mirë në këtë klub, kam ende dy vite kontratë. Kur ta ndiej dëshirën për t’u larguar, do të largohem, por për momentin jam një blu, – tha ai për “Canal +”. – Ju e dini admirimin që kam për Realin, por jam te Chelsea. Çdo vit, gjëra të ndryshme janë thënë për mua, por kam qëndruar te Chelsea. Edhe te Lilla përflitesha se do të kaloja në Paris, por qëndrova. Edhe te Chelsea, njerëzit gjithnjë thanë që po largohesha, por jam ende këtu”. Chelsea mori një fitore 4-0 kundër Qarabağ në Ligën e Kampioneve, këtë javë, ndërsa blutë londinezë do të përballen me një përplasje të ashpër në Premier League, kundër Liverpool, në fundjavë.

Më shumë nga Kampionatet në Europë