Futboll

Hazard i vë çmimin vetes: Nëse Neymar u ble 222 milionë, unë vlej 1 miliard euro

Eden Hazard, që me kombëtaren e Belgjikës u kualifikua për në Botërorin “Rusi 2018”, shprehet se ky ka për të qenë një sezon shumë i vështirë dhe i gjatë për të, si në Premier League ashtu dhe në Botëror. “Nëse më duhet të rendis objektivat e këtij sezoni, në krye të listës është Botërori, më pas Champions League me Chelsea dhe në fund titulli në Premier. Të rikonfirmohemi në Premier League do të jetë shumë e vështirë”, tha Hazard, që në kampionat nuk ka luajtur ende asnjë minutë këtë sezon, pasi e nisi me vonesë përgatitjen për sezonin e ri.

Eden Hazard me trofeun e Premier League

Emri i mesfushorit belg është çdo vit i përfshirë në merkato, por tashmë Hazard është mësuar me këtë gjë dhe nuk i bën më përshtypje kjo situatë. Jo vetëm kaq, por ai ka thumbuar klubet dhe shumat e larta që po paguhen sot për lojtarët. “PSG pagoi 222 milionë euro për Neymar…. Nuk e di, por nëse kjo ka ndodhur realisht, atëherë unë vlej 1 miliard euro. Nuk e them për të qeshur, por realisht që nuk e di se cila do të jetë vlera reale e kartonit tim, nëse do të transferohem një ditë. Çdo vit emri im përfshihet në merkato, por nuk ndodh asgjë”, ka thënë mesfushori i Chelsea.

Më shumë nga Futboll