• Herion Faslija, mundësi rikthimi te Vllaznia?!

    Publikuar: 3 Jan 4:18

    Vllaznia në basketboll për meshkuj ka gjetur lojtarë deri në Amerikë si përforcim për gjysmën e dytë të sezonit. Megjithatë, te skuadra shkodrane mund të rikthehet edhe një sportist që është larguar vetëm para pak ditësh prej saj. Siç dihet, Herion Faslija, ditët e fundit të dhjetorit vendosi të lërë skuadrën shkodrane dhe të kalojë te Teuta. Vetë ai, në një prononcim për “telesport.al”, ka bërë të ditur se arsyeja pse bëri këtë zgjedhje, ka qenë ajo financiare. “Arsyeja pse u largova prej Vllaznisë ishte ana financiare. Teuta më bëri një ofertë shumë të mirë dhe drejtuesit e ekipit shkodran nuk ishin në gjendje të ma plotësonin një gjë të tillë dhe për këtë arsye, vendosa të ndërroj ekip“, është shprehur basketbollisti shtatëlartë. Por, lajmet e fundit që qarkullojnë, bëjnë të ditur se Faslija në momentin e nënshkrimit të kontratës me Teutën, ka kërkuar një klauzolë në kontratë duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit te Vllaznia.

    Vllaznia basket M 2
    Faslija me Vllaznine feston titullin kampion nje vit me pare

    Me sa duket këtë gjë e kanë mësuar edhe drejtuesit e sportit në Shkodër, që po kërkojnë ta rikthejnë këtë basketbollist. Madje, vetë kryebashkiakja Ademi në ceremoninë e shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit, një ndër to ishte pikërisht edhe Faslija, i ka kërkuar atij publikisht ta ndërmarrë këtë hap e të rivishet kuqeblu. “Dua t’i bëj një ftesë publike këtij sportisti për t’u rikthyer te Vllaznia. Ne kemi pasë mundësi të bisedojmë në lidhje me këtë çështje edhe pak ditë më parë, megjithatë tani besoj se kjo gjë duhet të realizohet“, ka thënë numri 1 i Bashkisë Shkodër. Ftesa tashmë i është bërë. Faslija e ka vetë në dorë këtë gjë. Kuptohet, duke parë edhe klauzolën në kontratën që ka firmosur me Teutën. Sigurisht që Vllaznia ka nevojë për lojtarë të tillë dhe për këtë arsye, dera për të është gjithmonë e hapur.

    [interaction id=”57bb0227336e03ca34055f86”]


    Lexo postimet e tjera