Bundesliga

Heynckes rikthehet te Bayern: Do ta bëj për hir të miqësisë

Heynckes rikthehet te Bayern: Do ta bëj për hir të miqësisë

U krye!

Bayern München sot është rikthyer në rrugën e suksesit të vitit 2013, kur fitoi tripletën. Trajneri i ri i bavarezëve është Jupp Heynckes, ai i cili i ka dhënë formë skuadrës më të jashtëzakonshme në historinë e futbollit gjerman.

Konfirmimi për lajmin e zbuluar nga gazeta “Bild” ka ardhur nga vetë 72-vjeçari. “Ky nuk është një rikthim. Është një shërbim për hir të miqësisë. Do ta bëj vetëm sepse i jam jashtëzakonisht shumë mirënjohës klubit. Kam një ndjesi shumë të mirë, mund të nisim menjëherë”, – ka thënë ai për revistën “Kicker”.

Siç shton “Bild”, njeriu i tripletës do të ketë si ndihmës 65-vjeçarin Peter Hermann dhe 63-vjeçarin Hermann Gerland. Ky i fundit është edhe përgjegjës i akademisë bavareze, por deri në qershor do të mbështesë Don Jupp-in.

Gjermani as që e kishte imagjinuar rikthimin në Mynih, por kampionët e Bundesligës po kalojnë ditë të vështira. Carlo Ancelotti u shkarkua javën e kaluar pas humbjes 3-0 me PSG-në dhe marrëdhënia e tij me lojtarët po përkeqësohej shumë. Pra, Heynckes nuk mund të mos e pranonte ftesën. Kjo do të jetë hera e tij e katërt në stolin e kuq.

Punë të mbarë, mjeshtër!

Më shumë nga Bundesliga