Kampionati Shqiptar

Historia flet për Vllazninë, Teuta dominon vitet e fundit

Përballja e së dielës, mes Vllaznisë dhe Teutës, po pritet me interes në të dyja kampet, sepse do të vendosë jo pak gjëra sa i takon ecurisë së mëtejshme të tyre në kampionat.

Përballja e së dielës, mes Vllaznisë dhe Teutës, po pritet me interes në të dyja kampet, sepse do të vendosë jo pak gjëra sa i takon ecurisë së mëtejshme të tyre në kampionat. Natyrisht, shkodranët janë më të favorizuar për të arritur fitoren, për faktin se do të luajnë në fushën e tyre, por edhe sepse historia e këtyre sfidave direkte flet për ta. Natyrisht, kjo nuk mjafton, sepse durrsakët, në këto vitet e fundit kanë treguar se mund të fitojnë jo pak here, edhe brenda në Shkodër. Po cili është bilanci i deritanishëm i Vllaznisë dhe Teutës në kampionate? Në total, këto dy ekipe janë ndeshur 166 herë në historinë e kampionateve shqiptare. Sigurisht, Vllaznia ka dominuar në shumicën e rasteve, sepse historia ka qenë më e sukseshme për të. Kjo shihet edhe në numrin e fitoreve, që ka arritur, plot 75, përballë 51 fitore që kanë arritur durrsakët. Ndërkohë, në barazim janë mbyllur 40 takime në mes këtyre dy ekipeve.

Edhe golaverazhi është në anën e veriorëve, që kanë arritur të shënojnë 203 gola në portën durrsake në historinë 87-vjeçare të kampionateve tona, ndërsa Teuta ka arritur të shënojë 152 gola në portën e Vllaznisë. Duhet pranuar se kjo epërsi, në përballjet direkte, ka qenë edhe më e madhe, por vitet e fundit, bregdetarët janë shndërruar në njëfarë mënyrë në “mace të zezë” për kundërshtarin e kësaj jave. Mjafton t’u referohemi vetëm 10 përballjeve të fundit mes tyre. Nga ato, 6 ndeshje i kanë fituar durrsakët, 3 ndeshje kuqeblutë dhe 1 ndeshje është mbyllur në barazim. Golaverazhi i këtyre 10 përballjeve është 10-5, po për Teutën. Ishte pikërisht kjo skuadër, që ndërpreu edhe sivjet ecurinë e Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë, duke e eliminuar atë në çerekfinale. Këto janë arsye të shumta, që do t’i bëjnë kuqeblutë më të vendosur për ta fituar me çdo kusht përballjen e së dielës.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar