La Liga

Historia i jep të drejtë Real-it, por Barcelona…

Mbrëmjen e sotme, në “Camp Nou”, do të luhet “El Clasico” i parë i këtij sezoni, me Barcelonën që do të presë Real Madrid për ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës. Është pothuajse gjithçka gati për ndeshjen e parë të sezonit të ri të futbollit spanjoll. Nuk mund të fillohej në një mënyrë më të mirë se kjo: Barcelona-Real, dy gjigantët e La Liga do të ndeshen për trofeun e parë të sezonit, që vitin e kaluar është fituar pikërisht nga “Blaugranat”, që kanë mundur Sevilla-n, e drejtuar në atë kohë nga Jorge Sampaoli. Këtë herë Messi me shokë do të duhet të djersijnë akoma më shumë për të siguruar titullin numër 13-të në historinë e klubit kundër “Los Blancos”.

Skuadra e Zidane do të paraqitet në këtë super sfidë pas fitores së marrë kundër Manchester United në Superkupën e Europës dhe do të synojnë të fitojnë një trofe që u mungon nga viti 2014-të. Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave është luajtur këtë verë në International Champions Cup, me Barcelonën që ka fituar 3-2. Katalanasit do të duan të përsërisin paraqitjen e mirë të bërë në atë miqësore, por do të zbresin në fushë me një mungesë të rëndësishme. Neymar, në fakt, është transferuar te PSG dhe Barça nuk ka gjetur akoma një pasardhës për brazilianin.

Real Madrid, nga ana tjetër, do të jetë më i qetë pas fitores së marrë kundër United të martën e kaluar dhe do të kërkojë t’i shtojë koleksionit të trofeve Superkupën e Spanjës numër 10. Vetëm Barcelona ka arritur ta fitojë më shumë herë këtë kompeticion (12). Për sa i takon përballjeve direkte, Real Madrid është në avantazh në me 93 fitore në 223 ndeshje kundër rivalëve të përjetshëm. Megjithatë, Barcelona ka arritur të marrë katër fitore, një barazim dhe një humbje në gjashtë përballjet e fundit.

 

Formacionet e mundshme
Barcelona (4-3-3):
Ter Stegen, Aleix Vidal, Pique, Umtiti, Jordi Alba, Busquets, Rakitic, Iniesta, Messi, Luis Suarez, Deulofeu.
Real Madrid (4-3-3): K.Navas, Carvajal, Varane, Sergio Ramos, Marcelo, Casemiro, Kovacic, Kroos, Isco, Bale, Benzema.

Më shumë nga La Liga